Së pari, harro faktin se ti je shkrimtar
i pabotuar. Shihe veten si shkrimtari i vetëm në këtë botë. Kjo është shumë e rëndësishme.
Nuk është krenari, nuk është egoizëm, por thjesht pikëpamje e domosdoshme për
një shkrimtar serioz. Duhet të besosh se je i vetmi ndër të gjithë shkrimtarët
e botës që janë duke shkruar histori për të gjallët. Kujtohu që të jesh së
brendshmi i qetë. Kujtohu të shohësh të gjitha çka ka jeta, të mirën dhe të
keqen, më një sy të pastër, vështrim të përkorë. Kujtohu të jesh pjesë e botës
më një zemër të pastër. Kujtohu të jesh i qeshur. Kujtohu të jesh bujar. Dhe
mandej kujtohu që tek ajo që është më tragjikja gjithmonë ka diçka komike, dhe
te ajo që është më e keqja, gijthmonë ka jo pak mirësi. Kujtohu që t’i bashkosh
në veprën tënde, të dyja skajet: njërën dhe tjetrën anë. Dhe kujtohu të qeshësh….
Unë dua që të
shkruash në një mënyrë që s’ka shkruar askush më parë. Çdo shkrimtar që është i
tillë mund ta bëj këtë. Ti ke një gjuhë të re brenda teje. Ndoshta akoma nuk është
zhvilluar, po do të zhvillohet nëse bën nisjen e duhur. Nëse nuk bën nisjen e
duhur kurrë nuk do të mundesh të shkruash. Do të kritikojnë si i ndikuar prej të
tjerëve, dhe ky do të jetë fundi yt. Nëse ata e bëjnë këtë për tregimet dhe
librin tënd të parë, nuk do të mund të çlirohesh ndonjëherë prej gjykimit të
tyre. Rruga për të mos shkruar si askush para teje është të shkosh tek bota
vetë, tek jeta vetë, tek shqisat e trupit të gjallë, dhe të përkthesh në mënyrën
tënde atë çka sheh, nuhat, shijon, ndjen, imagjinon, ëndërron dhe bën. Të përkthesh
sendet, ose veprimin, ose mendimin, gjendjen shpirtërore në gjuhën tënde. Unë
dua që ti të bësh nisjen e duhur sepse, nëse bën nisjen e duhur, kurrgjë në botë
s’mundet me të ndalue…..
Nuk po tregohem i
butë gjatë shkrimit të kësaj letre, dhe nuk dua që të më jesh mirënjohës. Nuk
dua që të duket sikur po të jap kurajo…Ti nuk mund të ndjehesh borxhli kundrejt
ndokujt dhe të jesh një shkrimtar i madh. Të duhet të jesh pak i pasjellshëm sa
i përket kësaj pune, pak hidhërak, dhe njëherësh po aq bujar dhe tolerant. Nuk
do tregohesh bujar ndaj ndonjërit në veçanti, por ndaj idesë, ndaj idesë
abstrakte: gjithëçka bën, ti e bën për vete, jo për ndokënd. Për të jetuar. Të
duhet me qenë egoist. Kjo nuk është për të ardhur keq: ka të bëjë me çfarë dhe
si do të shkruash.
…..Pasi ta lexosh këtë letër dua
që ti të zgjohesh dhe të gogësish, mandej të bësh një shëtitje dhe t’i thuash
vetes: -Në djall çfarë thotë ai, - dhe -në djall shkofshin të gjithë’ ngase vetëm
atëherë do të mundesh me fillue….Unë nuk mund të vendos nëse ti duhet apo jo të
shkruash, porse në pastë ndonjë gjë në botë, lufta, murtaja, ose zia e bukës,
uria personale, ose çfarëdolloj gjëje që mund të të pengoj të shkruash, atëherë
mos shkruaj, nuk duhet të duash të shkruash, harroje këtë. Ji një nëpunës i
ndershëm, shko në kinema, shih ëndrra, dhe fli si të gjithë njerëzit, sepse nëse ka ndonjë gjë që fillon të të pengoj të
shkruash, ti nuk je shkrimtar dhe do të jesh në pikë të hallit deri sa ta
kuptosh. Nëse je shkrimtar, ti prap do të jesh në pikë të hallit, por do të
kesh arsye më të mira për këtë. Urimet më të mira dhe paç fat të mbarë!
Përktheu: Granit Zela
Comments
Post a Comment