Frymë....5 poezi dashurie



                          

*    *     *


unë      - më griu grija e kësaj dite
              hëna përgjuese  murgeshë e përjetshme

ti           - ja prit sa të qetësohet  e të mos jetë kaq e tmerrshme
               erë e humnerës që fryn nëpër pyje

unë         - syri larg teje m’u syrgjynos
                 veç për të parë po më qan syri

ti             - trishtim shirash bie në liqej të mjegullt
                  ja prit sa të çel jasemini!

                                                  Pema e lumturisë, Olha Darcuk
buzët


po nuk erdhe ti do të mbytem në lumë
është verë në veri fryn juga në jug

po s’më more ti nuk marr njeri tjetër
do të mbetem në vetmi duke pritur gjithë jetën

më duhet të jetoj ta ndjej veten gjallë
po si të jetoj pa pak dashuri

buzët po më digjen për buzët e tua
zemrën po ma djeg shpirtin po ma grin

kur unë do të hidhem në lumë i pashpresë
hiri të më tretë në harrim harruar

e di nuk do mundem kurrsesi të vdes
lumin do ta shterr buza e shkrumbuar






* *

unë          - lumi u turbullua
                   kur pa sytë e tua

                   s’dal dot asaj ane
                   në këtë turbullirë

ti              -  fryn juga joniane
                    në shpate e male

                    ndoshta prej kësaj ere
                    s’del dot kësaj here
       
                   (lumi s’mi pa sytë)

unë            - s’është juga po sytë që kurrë
                    nuk i putha
                    që më bënë magji

                   (qenka tragjedi të të duash ty)



fshehurisht moj fshehurisht


nën qerpikë dridhje sysh
hapëron floku yt i zi
përskuqur gojë e trëndafiltë
ikën e bëhet poezi
sa herë shihemi sy ndër sy
si yllësi në errësirë
përplot me mall e trishtësi
ti hovesh e trazohesh shpirt
a ndjen gëzim zemër e heshtur
hënëza në kraharor
zgjim i dashurisë së fjetur

të kanë zili krijesat mbi tokë
flokët të zi korb dlirësi Shën Mërie
këmishën shpërthyen gjinjtë që të fryhen
pejzat e zërit
tërë pejzat e kurmit
t’i dua me heshtje murgu
as frymëtimë
as pipëtimë
(fshehurisht moj fshehurisht)
marrim a nuk marrim frymë?

sytë

çudi si më vjen imazhi yt
vështrim meteorik i harruar
ti je bërë e tëra puhi
e sytë e tu janë vjeshtëruar
të vjeshtëruar sytë e tu
vështrim i tyre humbës
përhumbës
dua ta puth puthjen tënde
dhe buzëqeshjen e buzës

është natë
ti kullon e tëra hënë
diku një mjelmë vdes në heshtje
ti më e bukura këngë
unë një poet që puth buzëqeshje
ti me bukuri biblike
e vjeshtëruar gjer në dehje
çmendje

Granit Zela
Shkëputur nga vëllimi poetik "Në studion time hermetike", Aleph 2003. 

Comments