Thoshnin se vasha u hodh në lumë si gjithmonë
ngase ajo ishte floçkë ujërash, por ajo ishte vashë, unë e di fort mirë, se e
kam pasë dashur dhe e dua më shumë se veten, por njerëzit që na shihnin bashkë
besonin se qe nuse ujërash dhe unë e kisha motër. Kam ardhur prej botës së të
shuemve për t’ju kallëzue të pakallëzueshmen, se kështu më ka porosit vetë
vasha. Ajo m’u lut me rrëfye gjithçka, ngase s’mundka njeriu me u preh i qetë
as në kët' e as n'at botë pa rrëfye deri në fund fatin e tij.
Askërkush nuk e dinte atëbotë
se unë e doja vashën e bukur si yll. E pashë më së pari aty ku bashkohet Drini
i Bardhë me Drinin e Zi kur po shkonte me të motrën e martueme te Kroi i
Tan'zot ku ajo do të merrte ujë të mirë për me lagë gjirin ngaqë ky ujë u
sillte qumësht nanave për foshnjat. Ishte fundmars dhe në mesnatë pemët u përkulën
e u falën në të gjithë Gjalicën pasi kështu kishte ndodhur gjithmonë
fundmarseve por ne na u duk se ato po faleshin për dashurinë tonë të madhe.
Ishte vetë vasha që më tha se
kishte droje se shumë shpejt njerëzit e fisit të vet do ta merrnin vesh lidhjen
tonë pasi kishte gjasë që gojë më gojë historitë që rrëfeheshin atëherë të
mbërrinin gjer tek ta, andaj do të ishte mirë që njerëzit të besonin se ajo nuk
ishte vashë por nimfë uji kurse historia që po ju rrëfej juve është ajo që ka
ndodhë me të vërtetë, historitë e tjera s’janë kurrgjë, vetëm legjenda të
trilluara prej imagjinatës së ndezur të gjindjes së atyre anëve.
Dilte vasha ime te Liqeni i
Luleve sapo shpërthente drita e agut, e lahej e lahej në liqe, dhe sa i afrohej
njeri humbte në ujëra e dilte në anën tjetër aq sa nganjëherë edhe unë besoja
si të gjithë se ajo ishte floçkë ujërash, por ajo ishte vashë se unë e di fort
mirë këtë gjë, se kam pasë dashur dhe e dua më shumë se veten, e bash ajo më ka
porositur me ju rrëfye historinë e vërtetë të saj.
Të gjithë besonin e ajo
luante me yllzit e natës të cilët i bënin dritë mbi krye po ajo në të vërtetë
nuk luante me yllzit po me mua që i rrija mbi krye me ja ndje fryhmën e
kraharorit. Thoshnin se tri herë e
truajti vasha Drinin “Dri o Dri u bëfsh i zi!” por jo, duke iu lagë qerpikët
ndër lotët që i shkisnin faqeve ajo më porositi atje në terrin e botës së të
vdekurve se i pavetëdijshëm kishte qenë mallkimi i saj por nuk kishte ditë çfarë të bënte tjetër
pasi kishte klithë si zog i mbyllën në kafaz për t’u çlirue prej peshës së
ankthit.
E vasha më tha se siç dihet ajo ma kishte dhanë mue fjalën për me e nda
bashkë shortin e jetës por prindërit e kishin fejue me njëfarë Gjin Krahneza prej qytetit të Klithmëqyqes.
Ajo e mbyllun në shtëpi tek po i afrohej dita e martesës nuk mundi me u lidhë me
mua pasi unë rashë në shtrat atë muaj prej një sëmundje të gjatë, e s’munda të
dalë n'ato anë për fatin e vajtueshëm të dashurisë tonë.
Më tha vasha se kishte dalë tri ditë para
ditës së martesës për me më kërkue. Ishte zhytur deri në mes të ujërave dukë më
thirrë ngase e kishte dallue siluetën time matanë bregut po zhurma e lumit
nuk e kishte lënë me më dëgjue. Kishte përmendë pa shpresë emrin e të dashurit
të zemrës po shpejt ishte lodhur andaj prej pikëllimit ishte hedhë në ujë për
të dalë prej andej Ditën e Moskurrit.
Askush s’e ka ditë deri më
sot se çka ngjau me vashën, e pse e ka ashtu emrin ai lum, po ajo më rrëfeu
tërë historinë dëshpërueshëm me një frymë njeriu, e tash që unë ju kam kallëzue
fatin e vashës, ajo po kthehet tash prapë në tokën e hijeve dhe ndofta mundet
me gjetë prehje më së mbrami si të gjithë vdektarët e asaj bote.
2006
Comments
Post a Comment