"O ndihmë! Ndihmë! Më përktheu ai!"


Në kohë krize dhe kaosi, marrëzitë dhe ngjarjet e pabesueshme, që nuk i rrok mendja njerëzore bëhen të zakonshme, pasi një absurditet zëvendësohet me një absurditet tjetër, marrëzitë shtresohen mbi njëra tjetrën duke krijuar një mal të madh e hijerëndë sharlatanizmi që ia zë hisen e diellit shoqërisë dhe rrjedhave normale të zhvillimit shoqëror.

Gjer më sot, në trekëndëshin shtëpi botuese-autor-lexues, kemi dëgjuar gjithmonë kujën  ankestare të shtëpive botuese për mospërkrahje nga shteti, se janë në prag të falimentimit,  nuk fitojnë aq sa duhet, se pas çdo panairi libri shitjet nuk janë sipas planeve të tyre të tregëtimit etj. etj. por nuk kemi dëgjuar prej tyre të flasin edhe një herë të vetme për të drejtën e shkrimtarëve shqiptarë që të paguhen për veprat që mbrujnë me sakrificën e mijëra ditëve e netëve.

Nuk kemi dëgjuar as edhe një herë të vetme gjer më sot, që qoftë edhe njëra prej tyre të ketë refuzuar edhe një libër për ta botuar për mungesë të vlerave estetike, çka tregon se paraja, fitimi dhe jo dashuria për librin është qëllimi i mbramë i ndërrmarrjes së botimit të librave, shitja e tyre jo përhapja e "dritës së diturisë" është motivi madhor që i shtyn këta shtëpira tregëtimi drejt shkrimtarëve dhe lexuesve.

Pyetjet që shtrojmë janë:
-Cila shtëpi botuese ka falimentuar gjer më sot për shkak të kaosit e krizës së leximit të librit, i cili sipas tyre nuk është aq masiv sa duhet? Përgjigja është e thjeshtë: "ASNJË".
--"Cilin shkrimtar shqiptar të gjallë sot, botojnë shtëpitë botuese që i kalojnë njëqind të tilla pos Kadaresë, i cili me famën që ka rrokur më shumë i "boton" ai sesa ato atë,?  Përgjigja është e trishtë: "ASNJË".

Me këtë ne nuk duam të themi se duam që shtëpitë botuese të mos zhvillohen e pasurohen, të modernizohen e globalizohen, por duam të them se në këtë kaos e varfëri ekonomike, kur shtëpitë botuese ndjehen të kërcënuar, shkrimtarët janë dhjetë herë më shumë të kërcënuar e të pashpërblyer, dhjetë herë më të dhunuar e të fyer, nga mënjanësia dhe pamundësia.

Pas viteve 90-të lexuesi shqiptar, i vjelur e i neveritur nga shkretëtira e socrealizmit të letërsisë shqipe, ishte i etur për "mollën e ndalueme" të letërsisë botërore. Kjo dëshirë e ethshme për të shijuar të ndaluarën, për të qenë në të njëjtën kohë me kohën botërore të letërsisë, solli një lum të madh përkthimesh, të cilat me ngutin e botimit ngajnë me atë lumin që sjell edhe ujë të kthjellët edhe ujë të turbullt, "përkthime" e "shqipërime", "prurje në shqip" e "shfytyrime", profesionalizëm e amatorizëm,  vrull i cili kishim shpresë e besonim se do të shtrohej me kalimin e viteve, vite të cilat nuk mund të shërbejnë si alibi për padijen dhe mungesën e përvojës.

Mirëpo.....ajo çka dëgjuam e lexuam ditët e fundit në media për një shtëpi (sa)botuese fantazmë, na tregon se edhe sot shtëpitë (sa)botuese vazhdojnë qetësisht të grabisin shkrimtarët e të tëhuajtin e plaçkisin lexuesin. Të ishte vetëm kjo, nuk është se do të merreshim me këtë fenomen, por, pasi përshkuam tregun e librave në kreyqytetin e Shqipërisë sonë, vumë re se kasaphana që ishte shkaktuar në trotuare ishte e paparë po se po, por edhe e padëgjuar.

Këtë e kishte bërë shtëpia  botuese "Likaj Publishing" e cila kishte dënuar me vdekje shkrimtarin Teodor Drajzer dje kishte ekzekutuar veprën e tij në mënyrë sistematike. E kishte dashur ta nxjerrë në dritë por më shumë e kishte varrosur. Në tregun tonë të librave, lexuesi shqiptar lexon veprat "Bukuri e përdhunuar" "Zonja e panjohur", Syzeza Karolinë", "Viktimë e dashurisë së gabuar" të autorit Teodor Drajzer, vepra të cilat nuk i lexon dot asnjë lexues në planet! Do të thoni ju se pse vetëm lexuesi shqiptar i lexon vepra të tilla të këtij autori, mos vallë shtëpia botuese në fjalë ka blerë të drejtën e autorit, duke ia dhënë këtë kënaqësi vetëm lexuesit tonë?



Përgjigja është "JO". Veprat që janë botuar në shqip të autorit Teodor Drajzer, ekzistojnë në shqip dhe në asnjë gjuhë tjetër të botës sepse është pjellë e mendjes së botuesit të saj i cili titujt e librave të tij i ka zëvendësuar me tituj të letërisë masiviste, duke u dhënë konotacion erotiko-pornografikë, kontribut i paparë në iluminimin e lexuesit tonë. Në numrin e kaluar të gazetës sonë ne sollëm një shkrim të Kantit për iluminizmin por që të arrihen kufij të këtillë nuk e kishim menduar.

Sa për të shembullzuar se çfarë titujsh na servir zbuluesi i vezës së letërisë bulevardeske po japim vetëm disa tituj ""Mes gruas dhe dashnores" ""Krimet e nje gruaje" "Putana e vogël", ""Karriera e nje prostitute""Dashnorja e të gjithëve" , "Bukuria e perdhunuar", "Kurvat e Parisit", "Pallati i kanibalëve", "Një burrë dhe dy gra", "Dashuri kanibalësh" etj, etj.

E kështu, pas titujve me "grua" dashnor" burrë"  "përdhunim" tani shumë lehtë drama e Shekspirit "Romeo e Xhuljeta" mund të botohet me titullin "Përdhunimi i Xhuljetës'...Në treg kemi edhe tituj të tillë si "E dashura e priftit" me autor Stendal, 'Vajza e dashnores sime' me autor Gi dë Mopasan dhe librin 'Një tragjedi amerikane" të përkthyer qyshkuri. Tash sabotonjësi jonë e 'shqipëron" në 'Tragjedi njerëzore" duke krjiuar imazhin e rrejshëm se kemi të bëjmë me një vepër të papërkthyer më parë në provincopolin tonë.

Kjo është e para, titulli i bulevardizuar, por e çuditshme është që përkthyesi në fund të romanit shkruan "Koplik" dhe "Londër" a thua se është ai autor i librit dhe jo Drajzeri ose më së paku janë bashkëautorë. Kjo për korrektesë ndaj të drejtës autoriale, se me thënë të drejtën, me gjithë ato operacione që i ka bërë librit botuesi dhe përkthenjësi, mund të thuash fare mirë se janë të shkruar prej tij.

Po për të gjitha këto, a ia vlen vallë të shkruash? Libra që janë përkthyer para nëntëdhjetës janë "përkthyer" sërish nga përkthyes anonimë, pas një mundimi disasekondësh për të vënë emrin e tyre. Pra kjo nuk  përbën lajm. Fatkeqsisht. Por lajm të keq përbën fakti se një lexues që do të lexoj veprat e Drajzerit, dhe blen serinë e librave të tij në shqip, në fund fare, pasi ka paguar jo pak para për të pasuruar bibliotekën personale, kupton se në fakt ka blerë vetëm një libër të këtij autori, pasi i njëjti libër është botuar me tituj të ndryshëm sikur të ishte një libër tjetër, ndëkrohë që është po ai!

Në treg sot kemi edhe romanin "Zonja e panjohur" të Teodor Drajzerit, edhe romanin "Syzeza Karolinë" të cilat janë i njëjti libër. Edhe "Dy vëllezër për një grua" edhe "Mallkuar dita që më lindi" që janë i njëjti libër.  Pra, lexuesi, ai që do ta ndiej magjinë e stihinë e letërsisë dhe artit letrar, befas kupton se është plaçkitur, në mënyrën më të ulët, më mizore, prej atij që duhej të ishte mecenat i artit dhe jo mercenar i parasë, fitimit të paligjshëm dhe mashtrimit.

Pa u zgajtur më tej në mënxyrën që ka shkaktuar ky sobotonjës po i vëmë vargjet e poetit si epitaf  të shtëpisë së tij (sa)botuese.

"O ti, qe poezia të dha duart,
Që as me prozën nuk re dot n'ujdi,
Dëgjon si po bërtet poet Marciali? -
"O ndihmë! Ndihmë! Më perktheu ai!"

Kur nuk  ka kritikë letrare, lexuesi  masivizohet e shija e tij shprishet, burgoset në libra të dobët, e pasi burgoset plaçkitet. Letërsia shqipe nuk ka mecenatë që e shpien të lexuesi por ka mercenarë që e shohin shkirmtarin si pre, librin si mall e lexuesin si blerës e librin si mall. Kështu përgatitet dalëngadalë morgu i letërsisë, izolimi i artistit,  dhe vdekja e lexuesit.



Granit Zela, Albania e Vogël, 2009.



  
Faleminderit që e lexove!




Comments