Kështu nuk mund të
vazhdohet më. Janë tetëmbëdhjetë vjet kohe pasdiktatoriale dhe kritika letrare
është në letargji. Gjatë këtyre viteve kritika pak ka ndërruar, vazhdon me
temenanë e vjetër. Dyndja e masivizimit dhe mediatizimit të letërsisë është e
plotë kurse kritika është fragmentare. Një kohë tjetër shkrimi ka ardhur në
letrat shqipe por kritika nuk është në ballë të këtij procesi shndërrimi, as në
mes të saj. Kritika është në fund! Sepse kemi
shkrimtarë që merren me kritikë, filozofë, psikologë, mësues shkollash,
dashamirës të letërsisë që merren me kritikë, e jo kritikë letrarë të
specializuar në këtë lëmë. Ata që janë numërohen me gishtat e dorës dhe janë
shumë pak përballë sulmit vandal të mediokres në letërsi.
Duhet një Kritikë e
Re letrare e cila nuk mund të vazhdojë të jetë më:
Kritikë e Hosanasë. Të gjitha
shkrimet që shkruhen për veprat letrare vetëm thurin lavde për autorin. Ato nuk
reshtin së nxjerri në pah vlerat e autorit i cili më së paku është një talent i
vërtetë, madje në përmasat e gjeniut, por që bashkëkohësit nuk kanë
largpamësinë e duhur për të parë përmasat e hatashme të gjeniut të ardhshëm.
Nuk është kritikë ajo që vetëm lëvdon, vetëm ngre, vetëm zbulon nobelistë të
provincës dhe kombit. Nuk është kritikë serioze ajo kritikë që shndërrohet në
pamflet përlëvdues për autorin, të cilin kësisoj e fundos një herë e mirë se
vetëm në çapat e parë i thuhet se ka arritur majat!
Kritikë e stërakademizuar. Kjo
është kritikë e cil kur rreh të flaës për një vepër letrare nis e citon
pafundësisht teoricienët e letërsisë, duke shkuar aq larg sa rrallë përmendet
vepra në shqyrtim por merret me teoritë letrare të përkthyera shkel e shko nga
mëtonjësi për me qenë kritik. Dhe fjalitë në këso rastesh janë aq të gjata sa
nuk dihet se ku e kanë fillimin e ku mbarojnë, se nuk kanë hiç kuptim! Shihni si shkruan
kritika stërakademike për veprën letrare:
“Montazhi
asociativ e sforcon dihitominë e relacioneve midis modeleve aktanciale: shpesh
kategoritë e njërit model ndërrojnë funksionin e vet dhe relacionin në modelin
tjetër aktancial, si ndërrim funksionesh aktanciale nga një transformim dinamik
në suaza të strukturës. Në këtë kontekst zakonisht karakterizohet një model
bazik aktancial, të cilit me nënrenditje ose koekzistencë mund t’i nënshtrohen
të tjerët. Mirëpo koherenca e teksit, e strukturës së veprës është koherencë
sinkretike, entitet sinkretik, pavarësia e tërësive është evidente, prandaj
edhe modelet aktanciale që nënrenditen ose koekzistojnë në raport me modelin
bazik aktancial kanë funksione të dyfishta: si aktansë dhe si akterë”.
Këtu
bëhet fjalë për shqyrtimin e një vepre letrare apo për fantashkencë?
A kanë kuptim
fjalitë fjalia “Bën racionalizimin e ndjenjës dhe intuitizimin e racios,
formalizimin e esencës dhe esencializimin e formës përmes reduksionizmit
eidetic në dobi të onticitetit kategorial të artefaktit”(?!). Mendojmë se
traktati teorik nuk është përkthyer mirë pasi duhet dhënë në shqip
“interaksioni relacional” sikurse “relacioni referencial”, “simultanizim dhe
verbalizim i modelit szheik që zhvillohet suksesivisht”, dhe faqe të tëra
përkthimi banal, fantashkence fjalish të pakuptim që shpien në një shkrim
surrealist. Kësisoj lexuesi tëhuajësohet e velet e nuk nxitet ta kap fare
veprën me dorë.
Kritika biografike. Kjo lloj
kritike parapëlqen të flasë për autorin, të numëroj bëmat e tij dhe gjëmat e
kohës në të cilën jetoi, pra, në një farë mënyre bën biografinë patetike të
autorit i cili nuk është mposhtur e nuk ka ndërmend të mposhtet nga asnjë lloj
sistemi. Po japim pak fragmente nga kjo soj “kritike”. “Historia e
popullit shqiptar është shkruar në forma të ndryshme gjatë shekujve, nëpër
kohëra që gjithmonë ishin të trazuara, të tronditura, madje tragjike e rrallë
të qeta, të ëmbla e të ngrohta”. Paskëtaj në këtë lloj kritike citohen
vargje të tëra poezie apo pjesë të shkruara në prozë për të mbështetur tezën
historike të shpirtit luftarak jo vetëm të autorit/es. “Kontributi poetik i
autores shihet në këto vargje dhe nuk stepet para furtunave zhbërëse, por
qëndron i patrandur dhe krenar, sepse deti tash bëhet mal e mallet kreshta,
ndërsa poetesha bëhet “tel lahute”….”Në baret buzë detit/me Kamber Loshin kam
qëndruar.deti valët i bëri kreshta malesh/unë tel lahute u bëra dyfish e
forcuar”.
Në raste të tjera
shtjellohet profesioni i autorit-es duke shprehur konsiderat e rastit” (Filan
Fistëku) është personalitet i njohur për shqiptarët ne ekranet televizive
shqiptare duke filluar nga TVSH-ja e më tutje. Ajo njihet për modelimin e saj
paksa të veçantë në disa emisione po ashtu paksa të veçanta që figurën e saj e
mbështjellin me një dozë të matur respekti, lakmie, e, madje, pse jo edhe
xhelozie nga koleget e saja gazetare dhe moderatore.” Dhe mu për këtë F. F.
kishte dhe ka pasur një veçanti në qëndrimin, moderimin e bisedës, udhëheqjen
dhe përzgjedhjen e temave për emisionet e veta/ Prandaj ajo u bë një emër
i njohur i ekranit, madje i dashur dhe i adhuruar nga shumë shikues”
Kritika mediokre. Është ajo
kritikë që nuk flet fare as për librin as për autorin e librit po për autorin e
shkirmit dhe gjendjen e tij fizike e shpirtërore. Pra,është kritikë që nuk
thotë asgjë. Rëndom tregohet se si ka rënë libri në dorën e shkruesit, si nisi
ai ta lexoj, me çfarë shpejtësie u lexua libri etj etj duke përfunduar me
ankthin që paskësh ngjallur faqe pas faqeje si në rastin “Sapo mbarova së
lexuari librin isha aq i tronditursa ai më ra nga dora”. “Isha në ankth
për zgjidhjen e kontradiktës në fund të librit. U lumturova që ajo u zgjidh
natyrshëm e me mençuri”. Pra jepen përjetimet personale në leximin e librit dhe
kaq.
Kritikë e shitur. Është kritikë
e shitur te organizuesi i kokteilit që ndodh të jetë pasanik. Është shënim
kritik që paguhet me rreshta ku çdo lëvdatë dhe “zbulim” vlerash merr sasinë e
caktuar të eurove. Kjo është forma më e zvetnuar e shkrimit në përgjithësi dhe
kritika më e mjerë që mund t’i bëhet një vepre po aq të tillë. Kjo lloj kritike
angazhon industrinë e reklamës duke paguar me përpikmëri çdo ingranazh të këtij
mekanizmi me një përlogaritje të saktë të fitimit nga libri. Kritika e shitur
është forma më kërcënuese sot e tjetërsimit dhe kaosit në fushën e letrave. Një
kritikë e lapërdhosur (korruptuar) e zhverëson kritikën si të tillë. Nuk mund
të vazhdohet më me kritikë të hosanasë, kritikë të stërakademizuar, kritikë
mediokre dhe aq më pak të shitur.
Ndaj dhe duhet një
Kritikë e Re, përballë një letërsisë së kohës së lirisë, me instrumentarë e
frymëzim të ri, për një lexues që çdo ditë e më shumë tundohet mirëfilli
ta braktis letërsinë.
2008
Comments
Post a Comment