Frederik Rreshpja në Vdekje



ka vdekur Ai
sa dëgjova për ikjen heshta
pastaj qava
në një dhomë të errët qava nëper terr
terri ishte ishte më i terrtë atë natë
qirinj ndeza për ty Frederik
ndenja me orë të tëra duke qarë
pastaj dola jashtë duke u rrëzuar nëpër shira
jashtë …
kishte më pak vjeshtë
më pak stinë
më pak muzgje
shumë më shumë trishtim

desha të  bie në gjumë. Natë.
isha i trazuar, përpëlitesha. Pashë në ëndërr
te shtëpia jote me qira në një rrugë të humbur të Tiranës
ishe i vetmuar në odën e pritjes pafund
atje të gjallët kishin hapur varre
gjeta një varr në zemrën time prej njëzet e shtatë  vjeçari


malli më kishte marrë për Ty

tash Kali i Pikëllimit nuk qas pranë njeri
nuk pi ujë,  tagjinë nuk e prek
ka nisur të grah si i shastisur rruginave
në kërkim të të Zotit
që me vdekjen mbet
të gjallët nuk kishin kohë për ty
më mirë me vdekjen
më mirë aty
harrimi
       harrimi   harrimi
do të na tëharr të gjithëve
por Ti e kalove Portën e Harrimit
hipur Kalit të Zi

e tash në Përjetësi
sërish  i mallkuar të jesh në vetmi
në gjak e ke mallkimin Frederik
s’mund ta shprishësh gjakun që të rrjedh në deje
ik tani
më mirë ik !

I VETËM NË JETË
I VETËM NË VDEKJE

                                                     2006

Comments