Skena i është më shumë mirënjohëse
dashurisë se sa jetës së njeriut. Sa i përket skenës, dashuria është gjithherë
çështje komedish, dhe kohë pas kohe tragjedish: por ajo në jetë shkakton shumë
prapësi; nganjëherë si sirenë, herë të tjera si tërbim. Mund të vihet re qartë
se mes të gjithë njerëzve të shquar dhe me vlerë (ata që kanë mbetë në kujtesë,
të hershëm ase të vonë), asnjëri prej tyre nuk është pushtuar nga caku
çmendurak i dashurisë; çka tregon se njerëz dhe punëra të mëdha nuk i
nënshtrohen këtij pasioni ligështues. Bëjnë përjashtim këtu, sidoqoftë, Mark
Antoni, bashkëpuntori i njëfarëkohshëm i perandorisë së Romës, bashkë me Appius
Claudius-in, ligjvënësin romak: ndërsa i pari ishte një njeri epshor, dhe i
zullummadh; i dyti ishte i rreptë dhe i zgjuar: dhe kësisoj duket që
(megjithëse rrallë) se dashuria gjen shteg jo vetëm në një zemër të hapur, por
edhe në një zemër të rrethuar, nëse ajo nuk ruhen ditë e natë.
Epikuri ka një thënie të pavlerë, Satis magnum alter alteri theatrum sumus:
[Gjithsecili është për tjetrin një teatër mjaft i madh] sikur njeriu, i krijuar
për të soditur parajsën dhe gjithçka fisnike, nuk u dashka të bëj kurrgjë veçse
të përgjunjet para një idhulli të vogël, dhe të bie në varësinë e tij, megjithëse
jo në varësinë e gojës (sikurse kafshët), sidoqoftë në varësi të syrit, që ai e
ka për qëllime më të epërme. Është e çuditshme të njohësh tepërimin e këtij
pasioni, dhe se si përballet me natyrën dhe vlerën e gjërave, me anë të këtij
tepërimi, ashtu siç të folurit me hiperbola nuk është e hijshme kund tjetër
përvesçe për dashurinë. Kjo s’ka të bëj thjesht me frazën; sepse sikundër është
thënë fort mirë që vet-lëvduesi, të cilit të gjithë lajkatarët e tjerë i duken
të mençur, është në natyrën e njeriut, dhe sigurisht tek i dashuruari është edhe
më shumë.
Ngase nuk ka njeri tjetër që mendon
me kaq kreni pafundësisht mirë për tjetrin pos të dashuruarit për njeriun që
dashuron: dhe kësisoj është thënë shumë mirë për këso rastesh, Është e pamundur me qenë edhe i dashuruar
edhe i mençur. Nuk shfaqet kjo dobësi vetëm tek të tjerët, apo vetëm tek i
dashuruari, por tek të gjithë ata që duan, nëse dashuria është e ndërsjelltë.
Sepse është rregull, që dashuria ose shpërblehet me dashuri ose me më një
përbuzje të brendshme dhe të fshehtë. Prandaj njeriu duhet të jetë i
vetëdijshëm për këtë pasion, që të bën jo vetëm të humbasësh gjërat e tjera,
por edhe veten.
Sa për humbjet e tjera, qasja prej
poeti e vë mirë në dukje këtë: Ai që parapëlqeu Helenën, nuk pranoi dhuratat e
Juno-s dhe Pallas-it. Kjo sepse kushdo që jepet shumë pas ndjenjës dashurore,
resht së qeni edhe i pasur edhe i mençur. Ky pasion ka kohën e vet të vërshimit
atëherë kur të vë poshtë dobësia; të cilat janë koha e begatisë dhe fatkeqsisë
së madhe (megjithëse gjatë kësaj të dytës është vënë re më pak): kohë të cilat
e ndezin dashurinë dhe e bëjnë më përvëlake, dhe rrjedhimisht ka më shumë gjasa
të jetë e marrëzishme. Më e mira që mund të bëj, dikush, nëse nuk mundet t’i
bëjnë ballë por t’i jepet dashurisë, është të qetësuarit e saj, dhe ta mbaj atë
larg nga çështjet serioze dhe ngjarjet e jetës; se nëse ngatërrohet me
tregëtinë, e dëmton pasurinë e njeriut, dhe e katandis njeriun në një gjendje
ku s’mundet të bëjë gjë tjetër vec të pranoj ku është degdisur.
Nuk e di se si ndodh, por njerëzit
me natyrë luftarake i jepen dashurisë: mendoj se ndodh si në rastin kur i jepen
pushtetit të verës; sepse kemi të njëjtin rrezik që ndërrmerret për të shijuar
kënaqësinë. Ka në natyrën e njeriut një prirje të fshehtë dhe lëvizje kah
dashuria për të tjerët, e cila, nëse nuk i kushtohet një njeriu ose disave, në
mënyrë të natyrshme priret drejt shumë njerëzve, dhe e bën njeriun më human dhe
të dhimbshëm; sikundër është vënë re te murgjit. Dashuria martesore është burim
i njerëzimit, dashuria miqësore e përsos; por dashuria e shthurur e lapërdhos
atë.
Francis Bacon (1561- 1626) me një
jetë aktive politike në politikën londineze gjatë mbretërimit të mbretëreshës
Elizabet I ,kur ai u bë pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe më pas James I,
kohë kur arriti kulmin e karrierës së tij publike e cila më pas mori tatëpjetën
duke përfunduar i dënuar nga Dhoma e Lordëve me humbjen e të gjitha posteve
publike, me burgim dhe një gjobë të madhe pas të cilave ai bëri një jetë të
tërhequr deri në fund të jetës.
Shkrimet më të rëndësishme të
Bacon-it në shkencë dhe filozofi janë janë pjesë e një vepre të gjerë të cilën
ai e la të papërfunduar “Magna Instauratio”. Shkrimet e
Bacon-it nuk kufizohen vetëm tek fusha e filozofisë. Ai shkruajti “Historia
e Henry VII”; shumë pamflete mbi tema
aktuale politike të kohës; “Atlantida e re”, një rrëfim i papërfunduar për një shtet të ri ideal; “Mençuria e
antikëve” një seri interpretimesh të
miteve klasike me një sens alegorik; “Maksimat” ligjore’ dhe shumë shkrime të tjera.
Deri më sot vepra e tij më
popullore është “Ese”, botuar tre herë vetëm gjatë kohës së tij,
në botimin e fundit (1625) me dyzetë e nëntë ese, një përmbledhje me vëzhgime të
holla, për atë që njeriu bën në jetë, natyrën njerëzore, jo si duhet të jetë ajo,
por si është. Nganjëherë, por jo gjithmonë, Bacon-i merret me disa lloje të
caktuar sjelljesh nga një pikëvështrim moral; shpesh janë shkrime të sinqerta të
mençurisë së shprehur me fjalë; shfaqin idetë e Bacon-it për gjendjen e shteti;
dhe në ese të tilla si “mbi kopshtet” shpërfaqin edhe entuziazmin individual.
Me një spektër shumë të gjerë temash “Ese”, prej nga ku kemi shkëputur dy esetë e mëposhtme, janë shkruar me një stilt ë qartë, të thuktë, nganjëherë epigramatik dhe po të përdorim fjalët e tij “merren me atë çka bën dhe është njeriu.”
Përktheu: Granit Zela
Comments
Post a Comment