Letërsia si habi estetike
Kërkohet
vdekja e autorit. Por autori është i prirur gjithmonë të mos bindet,
përkundrazi, reagon, kërcënon, sulmon, bëhet i dhunshëm dhe e gjithë kjo
me praninë e tij. Mosqenia në kësi rastesh qartëson
shumëçka, na bën të këqyrim kthjellët atë që duhet të jetë gjithmonë, veprën,
po pikërisht meqenëse ai është subjekti dhe vepra objekti autori tregohet
subjektiv duke u rrekur gjithmonë të nxjerrë në plan të parë veten dhe të lërë
në plan të dytë veprën. Uni i tij është torturues, një lloj demoni po aq i
pakuptimtë sa cytësi i krijimit porse tash ai i kapërcen kufijtë duke dashur të
krijojë diçka tjetër, mbase atë që ka dashur të bëj gjithmonë mitin e emrit ose
imazhit të tij. Mistifikimi zë fill këtu. Autori thotë se ai është vepra, e
vërteta, çelësi i zbërthimit të saj. Kjo ide grishëse e gjithë po aq ledhatare
e bën të besoj se miti do ta bëjë të pavdekshëm pasi e mundon ideja e kësaj
mungese. Është në natyrën e njeriut të kërkojë pavdeksinë. Jeta dhe vdekja,
qenia dhe mosqenia,përkohësia dhe përjetësia, janë dikotomitë ekzistenciale të
autorit.
Vepra u
krye! Por jo, është e vështirë që ai të mos dalë në skenë. Ai mbolli andaj dhe
do të korr. Egoja pafundësisht thote fjalën “Unë”. Marrëdhënia
subjekt(autor)-objekt(vepër), mendje(autor)-trup(vepër) nuk është e drejtë.
Kësisoj për ta bërë më të besueshëm këtë gënjim autori shkruan më së shumti për
jetën e vet ose e trillon duke e jetuar. Jeton si në vepër. Kufijtë zhduken.
Gracka ngrihet. Kritiku harron se shpjegimi që jep ai s’është gjë tjetër veç
një nga shpjegimet e pafundëta që mund t’i jepen një vepre. Kritiku
sugjestionohet nga prania e tij. Autori shqiptar në pjesën dërrmuese të veprës
së vet e ka bërë me qëllim utilitarist për t’i shërbyer diçkaje qoftë kjo edhe
një ide si atdheu, gjuha, qenësia kolektive, ideologjia, doktrina, etnia etj.
Roland
Barthe-si kërkon vdekjen e autorit. Po kështu edhe Floberi. Por autori shqiptar
është mësuar të jetë aktivist shoqëror. Zëdhënësi i kombit të tij. Autor dhe
mandej: luftëtar, prijës kryengritjesh, pasha, i burgosur, liberator, i
helmuar, i varur, censor dhe i censuruar, persekutor dhe i persekutuar,
ministër, këshilltar presidentësh, ambasador i monarkisë dhe i republikës,
pasunar dhe varfanjak, antifashist, antikomunist, profashist dhe prokomunist,
cinik, agresiv, paqësor, shpërfillës, i pakënaqur, ateist dhe përçues i
religjionit I hyjnizuar, i anatemuar, azilant i braktisur, orator turmash,
legjendë e gjallë, anonim i pa vlerësuar kurrë në gjallje të vet, deputet, i
papunë, i alkoolizuar, tregtar, gazetar, këngëtar, prift, hoxhë, ateist, autor
që letrarizon jetën e vet,i keqkuptuar, pafundësisht i keqkuptuar. Autori i
ngre kult vetes, jetës së tij. Në periudhën socrealiste autori u njësua me
doktrinën. Jeta e autorit shqiptar i kalon caqet e një shkrimtari të shquar.
Habia që ai ngjall është habi historike dhe biografike. Tradita tregon se
autori shiptar dashur padashur është bërë aktor i jetës shoqërore.
Kritika dhe vepra
Po nëse
Gerard Genette e konsideron letërsinë si art të ligjërimit artistik kritika
ngjan të jetë gjykim i arsyetuar i këtij ligjërimi. Kritiku duhet të jetë i
përgatitur për t’u përballur veprën më së pari në lëmin teorik. Duhen pasur
njëherë instrumentet për të vendosur mandej se si e qysh duhen përdorur.
Përvoja e sotshme tregon se ekziston një prurje e madhe shkrimore ndoshta deri
diku edhe për shkak të asaj që thoshte A.Pipa kur fliste për një kritikë
letrare.”I riu asht porsi prroni qi don me shfrye dikund, e zakonisht shfren
aty ku ka ma pak pengesa, në rasën tonë medet! në lamën e letaratyrës.Nuk asht
gja ma e natyrshme se me e çlirue zemrën nga pasionet e para në nji copë
letër!”
Duhen zotëruar konceptet estetike, shumësia e qasjeve metodologjike për
të dekoduar shkrimin. Rreziku është se kritiku mund t’i shoh veprat si
shembullzime të teorive të tij ose nis të flas për veprën dhe përfundon duke
folur për veten. Rreziqet që i kanosen kritikut janë të shumëllojta mes tyre:
epigonizmi, diletantizmi, plagjiarizmi, panegjerizmi, tautologjia etj
etj. Sikur një kritik të kishte në studion e tij të gjithë librat e botuar në kohën
e vet, t’i kishte lexuar të gjitha ato, për të dhënë gjykimin e tij besoj se
nuk do kaloj shumë kohë që të kuptoj se përveç të tjerave duhet edhe
talent. Kritiku bën mirë të mbaj parasysh thënien e të urtit se
“ato që di, ruaji me anë të studimeve, kurse ato që nuk i ke mësuar, përpiqu
t’i mësosh me anë të kërkimit metodik shkencor”.
Lexuesi si lexues
Mandej
vjen lexuesi. Shumë herë ai i imponohet autorit. Sipas Eco- s ka dy lloj
shkrimtarësh 1. shkrimtarë që përshkojnë fund e krye tregun, shohin se çka do
lexuesi, studiojnë shijet e tij dhe krijojnë veprën siç e do ai duke u shitur
në mijëra kopje. 2.Shkrimtarë që e krijojnë lexuesin duke shkelur shtigje të
pashkelura e kësisoj i imponohen atij. Lexuesi i zakonshëm është dembel,
hipokrit dhe sipërfaqësor, po aq diktator sa autori. Ai e sheh autorin si
mishërim të shijes së tij që ndërron me ndërrimin e stinëve. Shumë shkrimtarë e
vuajnë mungesën e lexuesve. Edhe ata që nuk kanë qenë ndonjëherë dishepuj të
tij kurrë nuk do t’a refuzonin praninë e tij. Sidoqoftë them se sa i përket
kësaj trinie: autor, kritik, lexues ato mund t’i përfshijmë fare mirë në tre
nivele cilësie ose ekzistence sikundër religjioni ndan botën e përtejme.
1.Letërsi e nivelit të epërm (letërsia cilësore) 2.Letërsi e nivelit të
mesmë letërsi e cila mbizotëron gjithmonë. 3 Letërsi e nivelit të
poshtmë nënmesatar, medioker, gjithë po aq me bollëk sa e mesmja.
Lexuesi
shqiptar është krijuar nga autori dhe kritika, është pjellë e tyre. Sidoqoftë
pas viteve 90 po të citojmë fjalët e R. Elsie”letërsia shqipe ka hyrë në fazën
më interesante të saj” Mbase kjo ngase autori socrealist e pa se sa e lehtë dhe
e përkohshme është autori, ideologjitë dhe, ajme! – lavdia jashtëletrare.
Ai tani nuk mund të habisë më askënd. Këtë mund ta bëj vetëm TEKSTI(textum-i)
si habi estetike
Comments
Post a Comment