Hanko mos kalo mbi varre...



Bukurinë e pashoqe të Hankos e përshkruajnë me dhjetëra legjenda, por më i bukuri ndër to është përshkrimi që i bëhet asaj në shkrimet e Arbrit. Ajo aty përshkruhet si një bukuri e rrallë, si në përrallë, pa të dytë në këtë botë, e padëgjuar, madje thuhet se prej bukurisë së saj qenë verbuar njerëz ngase ajo shkëlqente si diell. Hankoja aty del si më mahnitësja mbi faqe të dheut, përshkruhet si vajza pulpëbukur e qafëbardhë, si vajza gojëqershi e buzëtrëndafiltë. Asnjëherë nuk ishte parë një bukuri si ajo dhe emri i saj nuk shqitej nga goja e të gjithëve.

Flokët, sipas shkrimeve, i vareshin teposhtë si degët e njërit prej shelgjeve lotuese që rriteshin viseve ku jetonte atëbotë. Dëshira e njerëzve për ta parë atë floknajë ishte e papërballueshme dhe munduese, sidomos kur i shpupuritej apo valëvitej në erë,  kësisoj duke këndellur zemrën e çdo vdekatari që e shihte.

Kaltërimi i syve, këngë anakreontike! Shirat e vjeshtave i mbushnin ato liqej sysh, e kur erërat frynin, valët i stërpiknin qerpikët. Arbri kishte shkruar poezi për sytë e saj. Në to ai ishte përpjekur të rrëfente se sa përralltare ishte bukuria e tyre, porse nuk ishte bindur kurrë se ia kishte dalur mbanë.

Buzët e saj flakëruese të ndërmendnin dy gjysmëhëna ose dy gjysma shege flakë të kuqe, kurse kuqëlimi i tyre të kujtonte perëndimin e diellit në muzg. Buzëqeshja e buzëve të saj shoqërohej gjithmonë me shkreptima në qiell. I kishte puthur ato buzë Arbri.

Kurmi i saj harlisej i qelibartë. Sipas dëshmive të shkrimeve të asaj kohe, ajo e lante dhe shplante atë me vesën e agut, e cila i hynte në poret e lëkurës, ndërsa në kraharor thuhej se mbante të kyçura erërat. Sa për vijën e buzëve të saj dhe vijën e hullisë së gjinjve, ato ngjanin me dy vija ujëvarash, që ta shtonin kudo e kurdo etjen.

Hapat e Hankos ishin të lehta si fluturime fluture, kurse mënyra se si i mbante supet, krejtësisht legjendare. Pulpat e këmbëve, për t’u pirë në kupë. Kodi i përpunuar i hapave, fjalori i gjesteve, lëvizjet natyrore të kurmit, sistemi i lëvizjeve, simetria e hirshme që nxirrte në pah emocionet e saj, tregonin se nëse për t’u bërë valltare duhet një punë titanike, ajo kishte lindur e tillë.


Ekzistojnë në shkrime edhe shumë komente që u bëhen harqeve të vetullave, pushit të faqes së qumësht, një vije horizontale në ballin e saj të mermertë, disa paragrafë që përshkruajnë timbrin hyjnor të zërit të saj bashkë me disa poezi të tjera që Arbri u kishte kushtuar syve.

Është shënuar aty me kujdes se rrezet e një dielli mbrëmjesor bashkë me dëshirën e ethshme për me shkrue një kryevepër, kishin zgjuar te Arbri dëshirën e kahershme për të lënë një dëshmi për bukurinë e Hankos. Arbri thotë se gjithmonë kishte gufuar një ngazëllim dashuror për Hankon, sepse shfaqja e saj në jetën e tij i kishte dhënë asaj një kuptim. Nganjëherë ai rrëfen me çiltëri se ajo i dukej e pakapshme dhe ai kishte menduar shumë herë se pa të nuk do të bënte tjetër gjë, pos vajtjes në një manastir të largët për të jetuar si eremit. Arbri  gjendej gjithmonë midis dy zjarresh, zjarrit të krijimit dhe zjarrit të dashurisë për Hankon.

Andej kah kalonte Hanko, thuheshin se shembeshin e rrafshoheshin shtëpitë dhe, kur ajo kthehej, ato ringriheshin si dikur, veçse nuk dihej nëse kjo ka qenë e vërtetë apo Arbri ka qenë i pushtuar nga vlaga e ndezullisë së krijimit. Bëhet fjalë në shkrime, se u përhap një thashethemnajë që bashkë me dashurinë për Arbrin kishte nisur të venitej edhe bukuria e saj. Askush nuk e kishte besuar dhe nuk donte kurrsesi ta besonte, ndaj edhe një natë nga ato netët kur Hanko kalonte kah varrezat për të takuar Abrin, thuhet se gjindja që banonte aty rrotull ishte fshehur prej kërshërisë së madhe në pyllin aty afër dhe kishte përgjuar daljen e saj.

Kishte pasë veshur atë natë një fustan të bardhë prej cohe të hollë, që tejdukej nën dritën e një hëne të plotë Arbri dhe të gjithë kishin mbetur gojëhapur prej asaj bukurie të kurrëmosparë, por nuk dihej nëse kjo kishte ndodhur nga mahnitja prej Hankos ndërsa ecte e qetë varrezës që e përgjonin dhjetëra sy, apo kur të gjallët kur kishin parë se si të vdekurit kishin ngritur kryet tinëz prej varreve duke soditur fshehurazi çapitjen e saj natore mbi tokën e tyre.

E kishte vënë re dikush, nuk dihej se kush, këtë skenë tronditëse ku të gjallët kishin ngrirë si në legjenda dhe të vdekurit ishin ringjallur, kësaj radhe vetën për të shijuar bukurinë e një femre si në asnjë legjendë të botës dhe, i frikësuar prej kësaj mrekullie, ai kishte rënkuar dhe i kishte kërkuar Hankos të mos kalonte mbi varre, po nuk dihej nëse ai që kishte rënkuar kishte qenë i kësaj apo asaj bote, po ka gjasa që ky zë të ketë qenë i përtejjetshëm, se kishte patur në këtë rënkim diçka prej dheu të lagësht dhe vjetërimi shekujsh.

Thuhet se të vdekurit atë natë i kishin mbushur plot lotoret e drunjta ku mblidhnin lotët e tyre sa herë qanin për kohën e ikur dhe thonë se me lotët e të vdekurve dhe lotët e të gjallëve u formua një liqen dhe nisën ta thirrnin liqeni i Hankos. Kur ishte kthyer atë natë nga takimi me Arbrin, Hankoja ishte parë të zhytej  dhe të humbte në thellësitë e liqenit për të mos dalë prej ujërave të tij kurrë më.

Pasi kaluan do kohë, u mor vesh se liqeni i Hankos kishte veti mrekullibërëse për shërimin e shpirtrave dhe kësisoj u kthye në një vend pelegrinazhi. Vetëm Arbri, thuhet prej tij në dorëshkrim, nuk gjeti aty shërim, pasi nuk iu kthye kurrë dashuria e humbur.

P.S Kjo është një nga dhjetëra poezitë që Arbri u kushtoi syve të Hankos.

Kur takohen kurmet, trazohen lumenjtë,
Marrin vrapin pllajat e çmenden përrenjtë,
Sy si sytë e saj s’janë parë në këtë vend
Sy si sytë e saj

Sup më sup me vjeshtën puhi më puhi
Si nuse pa paja qenkan këto stinë
Sytë ah sytë e saj porsi borërime
Sytë ah sytë e saj

Tash ka për t’u errur, mandej për t’u zbardhur
Do të shkrihen borënajat, mjegullat pa ardhur
Sy si sytë e saj asnjëherë s’kam dashur
Sy si sytë e saj!

2001

Comments