Tërë
duke njohur se ende shkrimtari s'ka në vëndin tonë atë pozitë dhe atë prestigj
që gëzon në popujt e tjerë, nuk mund të mohojmë se edhe ky popull vë veshin në
ato që thoni dhe shkruani, atje vjen të ndezë qirin' e idevet të tij. Prandaj
duhet që edhe të jini të sigurtë për barrën dhe përgjegjësisë që kini e që
duhet të kini.
Kujtoni
se një fjalë e shkruar është një farë e mbjellë. Kujdesi i mbjellësit duhet të
jetë një lule e mirë, një pemë e kandshme. Hithra dhe ferra mbijnë vetiu dhe
veç dëmit, s'kanë ndonjë vleftë. Është një farë që do korrin me qindra në mos
dhe me mijëra njerës, gjind i njohur dhe i panjohur.
Shkrimtari
ka një përgjegjësi të madhe. Më parë se çdo gjë, ka një detyrë dhe përgjegjësi
kundrejt vetes' së tij dhe ajo është që të përpiqet të fitojë-për veten e
tij-diturinë e nevojshme, karakterin serioz dhe të matur, prudencën dhe
patriotizmën. Të ketë ndërgjegje për rëndësinë që ka cilësi e shkrimtarit, në
do që të bëjë punë të dobishme dhe jo të mbjellë shpëndra në arë të botës. Në
qoftë se nuk ndiejmë në vetëvete tërë fuqinë e barrës, madhërinë e
përgjegjësisë, në qoftë se na mungon vullneti që të gjykojmë dhe të mendohemi,
që s'kemi kurajon të perfeksionohemi dhe të fitojmë virtutet e duhura, atëherë
më mirë ta thyejmë pendën, të betohemi të mos shkruajmë kurrë.
Kushti
më i parë është të kemi një qëllim, të ndjekim një qok dhe një ide, kur
shkruajmë: kijeni të lartë dhe të dobishme këtë ide, kini një ideal, një
qëllim. Kujtoni se zgjimi dhe përparimi i popujvet, ringjallja e tyre
kombiare ka nisur me veprën e shkrimtarëvet. Ç'do çap drejt qytetërimit
bëhet nën drejtimin që hedh një shkrimtar i madh, një mendimtar i thellë dhe
mbase çdo prapavajtje, çdo dekadencë, fillon të çfaqet në mendimet e botimtarëve
që janë të parët në të dhënë popullit bukën e kalbur të çoroditjes, në vend të
ushqimit të shëndoshë.
Fitoni,
pra, të dashur shkrimtarë, ide të shëndetshme, për veten tuaj më parë. Pastaj,
jepuni dhe të tjerëve pjesë prej parimeve të larta dhe të fitimshme, çelni një
dritë të re, një rreze që shpie në lumtëri të bukur.
Mos
ja fshihni kurrë të vërtetën popullit, sado e hidhur dhe e pavërtetë të jetë
kjo e vërtetë. Mos lajkëto gjindjen, mos u bëj demagog duke i bërë qejfin e ta
bësh mik me gënjeshtra. Më mirë të të bëhet armik duke i thënë të drejtën e të
vërtetën, se nesër të ka për të të çmuar. Zgjoni te populli ndjenjën e
dinjitetit, ndjenjën e responsibalitetit të njeriut përpara aktevet, punëvet
dhe mendimevet të tij; po edhe jepini nevojën e një studimi të thellë të këtyre
detyrave, bëjeni që të mejtojë, të kërkojë, të dijë të gjejë të drejtën dhe të
vërtetën.
Jeta
intelektuale gjer më sot ka lojtur një rol zero ndër ne. Fuqia dhe kujdesi i
tërë ka qenë varur te jeta materiale, me gjithë ashpërsinë brutale të saj.
Zgjimi i një horizonti të mëndjes dhe moralit, me ndjenja më të holla dhe të
lëmuara, varet nga rëndësija dhe bukurija që do të dimë ne t'i japim jetës
intelektuale me anë të shkrimevet.
Në
qoftë se shkrimtarët do të marrin pendët në dorë dhe do të nxijnë kartën për të
shfryrë inatin e tyre, për të folur fjalë pa kripë dhe pa thelb për të na thënë
gjë të kotë, atëherë jeta intelektuale do të vejë edhe më prapa nga ç'është
sot, do të zbythemi edhe më tepër akoma drejt rrojtjes barbare dhe materiale.
Por, në qoftë se i dëftoni që, përmi qarkun e dheut, ka një atmosferë të bukur
me dritë morale dhe me bukuri të imteligjencës, në qoftë se me shkrimet tuaja
jipni shembëllën e personit të veprës suaj, atëherë mund që të shpresojmë se do
të çelet një udhë e re drejt një qielli të ri. Nevoja e një jete të re, një
jete më të lartë se ajo e sotme, më e bukur dhe më e kandshme, me mirëbërjet e
qytetërimit, mirëbërje të vërteta.
Është
detyra e atyre që shkruajnë, se si të mbajnë fenerin e idevet të tyre drejt
kësaj udhe për të prirur botën….Po edhe jepini gjindjes konvikcionin dhe
besimin se qytetërimi nuk fitohet me një ditë as me një javë, as në një mot.
Zhvillimi i mëndjes së njeriut, fitimi i virtuteve shoqërore, ngadhnjimi i
kamjevet, sprapsja e veseve, duan një durim të madh, një punë me këmbëngulje të
shumëvitshme.
Kombit
tonë, më tepër se nga çdo send, i mungon durimi. Kërkon që një punë të bëhet me
një ditë, dëshiron që drurin ta mbjellë në mëngjes dhe pemën ta hajë në drekë.
Nuk i pëlqen të presë, të bëj llogari për kohë të gjatë, të punojë për vitet që
do të vijnë, të vuajë shumë kohë duke pritur ditë gëzimi. Jo. Ay thotë "më
mirë një ve sot se një pulë mot" dhe kështu kurdoherë ka mbetur dhe mbetet
pa ve.
Prandaj
s'i ka pëlqyer të hedhë djersë dhe mundim për Shqipërinë, për vëndin e tij, për
vete. Pse të rongoj unë sot, kur fitimin do të presë kaq kohë? Edhe nuk shohim
rreth nesh ndonjë vepër të madhe, ndonjë krijesë të punës dhe të durimit që
parasheh dhe gjykon.
Kemi
rrojtur për orën, për minutën e tanishme. Vetëm e sotmja na ka tërhequr
vërejtjen dhe na ka shtrënguar që të dalim nga përtimi dhe nga gjumi. E
nesërmja s'na ka dhënë brengë, se nuk kemi dashur të parashohim, të këqyrim atë
që s'duket akoma, atë që nuk e prekim tani me dorë. Të urtin nga t'egrin e
shquan të paraparët.
Kujdesi
i kohës që do të vijë e bën njerinë që të përdornjë që sot fuqin' e tij në të
ngrehur vepra për pritmin, të ekonomizojë, të kursejë, të derdhë mundimin në
vepra, që pemët do të dalin pas vjetësh e vjetësh, të brengoset që tani për
djemtë e nipët e tij, për brezat që ende s'kanë lindur.
Ta
bëjmë popullin tonë të fitojë këtë cilësi, virutut i durimit dhe të parapamit.
Të mos ishte durimi, ay vullnet në punë që na shtyn të mos e ndjejmë lodhjen,
bota s'do të qe kështu si është. Do të qe një shkretinë, një Sahara, një
Takla-makan.
Ç'shohim
rreth nesh, në vënde që ka ndritur gazi i përparimit, janë pemë të trashëguara
me punim të gjatë, të mbetura bir pas ati, të shtuara çdo ditë, me ngadalë, po
pa reshtur, si thesari i thneglës, si rrjeta e merimangës, si koshere e bletës.
Asgjë s'është bërë në një ditë. Shumë herë për një send kanë lodhur trupin dhe
mëndjen disa breza me radhë, me qindra njerës.
Zbukurimi
moral dhe material i vëndit tonë kërkon një ujitje të gjatë, me djersë dhe
shogrimin e kohës. Asgjë në këtë botë s'bëhet dot pa ndihmën e vitevet. Më kot
mundohemi qysh ta bëjmë motin minutë. Do t'i përulemi regullës dhe ligjit, të
pranojmë që përparimi është më parë nga çdo send një thesar i mbledhur nga një dhjetës,
me vuajtje e pësime të mëdha, duke gërmuar ditë dhe natë, një thesar i lënë për
djemtë tanë, të cilët, duke e shtuar tërë n'atë mënyrë, kurdoherë duke u lodhur
dhe duke u dirsur, do ta lenë te djemt' e tyre dhe kështu me radhë, brez pas
brezi.
Në qoftë
se gjatësi e kohës na trëmb dhe na tmerron, atëherë më mirë të themi që tani,
t'i rrëfejmë botës se nuk do të qytetërohemi, nuk do të përparojmë asnjëherë,
jemi dënuar për vdekje.
Tani
drejtohem te ju vjershëtorë dhe poetë, te ju që duhet të jeni shpirti i kombit,
udhëheqësit e shpirtit të këtij kombi. Mbani mënt se ngjallja e kaq kombeve ka
nisurë me frymën e poetëvet. Mbani mënt se rritja dhe lartësimi i kombevet ka
gjetur fuqi te inspirimi i dhënë prej vjershëtorëvet. Që të bëhet një komb i
fortë, njerëzit e ndarë dhe të pafuqishmë, kanë nevojë për një ideal të ardhur
së sipërmi, për t'i bërë t'adhurojnë vendin e tyre, të bien therorë për jetën e
bashkët, për nderin dhe sedrën e përbashkët. Ay ideal që i bën të heqin dorë
nga regjionalizma shterpë, nga egoizma meskine, u jep një hov që të rrojnë
vetëm për vendin e nderuar dhe të pandarë.
I
lumtur ay popull që ka gjetur në brumë të saj të tillë poetë me frymë të lartë.
Më të lumtur akoma ata poetë që kanë gatuar me frymën e tyre kombin dhe i kanë
rrëfyer udhën e bardhë drejt një ideali të lartë. Fuqia morale është mbase ajo
që nuk' e dërrmon asnjë forcë e dheut. Ushtritë, armët, armatat mund të thyhen
dhe të farosen. Po forca që i jep shpirtit pushtetin moral, ajo që i inspiron
kulti i vëndit dhe kombit, fryma e ardhur prej poezisë dhe literaturës, i
kundërqëndron çdo sulmi, edhe, në qoftë se fati e poshtërson ndonjëherë, prapë
rri e gjallë, rilind nga hiri i saj.
Lufta
e madhe e fundit na provoi se, nuk' është vetëm interesi material që e bën
njeriun të vdes për vëndin. Më tepër se llogari e fitimit dhe e humbjes nga
pikpamja monetare, është ajo lithkë që ka njeriu me qytetërimin, kulturën,
histrinë e vendit të tij. Me të drejtë ka thënë Voltair-i se, literature e
Francës ka bërë ngadhnime më të mëdhenj nga ushtërit' e Karlomanit.
I
padituri, i paqytetëruari, është lidhur vetëm me një lithkë te toka e tij;
frika e rrojtjes. Kurse të qytetëruarin dhe të zhvilluarin e lidhin te trualli
gjithë zërat e atyre që kanë vdekur përpara tij, që i kanë dhënë një shkëlqim
dhe një famë atij vëndi. Juve, juve shkrimtarëve dhe poetëve, ju bie barra që
të aspironi adhurim dhe nder për këtë truall të Arbërisë, bekim të pakufishmë
për çdo pëllëmbë të kësaj balte, t'i jepni të përpjetën e përparimit.
Comments
Post a Comment