Odisea dhe Enena_Theodore Haecker







U deshën njëzetë vjet para se Odisea të mbërrinte më së mbrami në atdheun e tij. U kthye i varfër, pa tesha mbi shtat dhe me pamje lypsari. U kthye dhe gjeti sërish atje pothuajse gjithçka që do të thotë vendlindje: gjeti shtëpinë, tokën, vendin ku si fëmijë pat njohur për më të parën herë dritën dhe bukurinë e kësaj bote. Ati i tij i moshuar ishte ende atje, e shoqja dhe i biri, langojtë besnikë dhe pa dyshim ky është portreti i një kthimi të lumtur në shtëpi!

Po çfarë ndodhi me Enenan, çfarë gjeti ai? A ka ndonjë ngjashmëri mes tij dhe Odisesë? Jo, askund tjetër nuk gjen ndryshim më të madh në tërë letërsinë antike. Dhe të kuptuarit e kësaj do të thotë të kuptosh njëherësh se sa absurde janë mëtimet e disa kritikëve që e akuzojnë Virgjilin në mënyrë përçmuese thjesht si plagjiator dhe imitues i Homerit. Nuk ka origjinalitet më mahnitës dhe të thellë në letërsinë antike se sa ai i Virgjilit dhe kjo sepse ai operon brenda kufinjve të imponuar prej formave të trashëguara dhe tradicionale, për të cilat i bëhet vërejtje.

Por le të shqyrtojmë sërish çështjen e Eneas. A kthehet ai ashtu si Odisea në tokën e fëmijërisë së tij?
Dëftehet diku, se është e vërtetë,  paraardhësit e Eneas kishin banuar dikur moti në Itali, por kjo përbën thjesht një retorikë politike, dhe nuk ka të bëj krejtësisht me vetë historinë, fatin vetjak të Eneas, i cili në këtë rast harrohet plotësisht. Enea nuk u kthye në shtëpinë e fëmijërisë së tij; përkundrazi, ai u largua prej saj, dhe e la atë si arratiak-gjë që e dëshon fakti që Turnus-i, i cili  kishte ndenjur në shtëpinë e tij në Latium, e quan atë në mënyrë përbuzëse dhe qortuese desertorem Asiaie, derzertor i Azisë, një burracak që i shmanget përgjegjësisë së vet, duke ia mbathur. Dhe kjo thuhet për Enean, pasardhësin e Cezarit, pasqyrën e Augustit!

Enea nuk ishte një grek fitimtar, por një Trojan i shpartalluar sikurse Hektori. Në atë natë tmerri dhe shkretimi ndërsa Troja digjej, e shoqja kishte marrë rrezikun në sy dhe kishte larguar vetëm fillikat atin e tij të moshuar bashkë me Penatat, perënditë mbrojtëse të shtëpisë, përkrah tij duke u rrekur me zor që të ec me të njëjtin hap me të, duke mbajtur njëkohësisht edhe birin e tij të vogël.

I ati vdiq gjatë rrugës, ai, i ati i Eneas, motivi më i madh i qenies së të cilit ishte dashuria e tij për të atin dhe dashuria e të atit për të. Enea arriti ta varros. Nëse do t’i bindej brengës së tij të kahmotshme, nëse do të drejtohej prej vullnetit të tij dhe vetëm të tij, zërit të të brendshëm, lidhjes me tokën mëmë, dyndjes së kujtimeve, është kaq e vërtetë se ai do të parapëlqente të rikthehej për të ndërtuar Trojën e vjetër sërish. Por prapëseprap nuk guxoi ta bënte këtë, ngase Fati, vullneti i të Gjithëfuqishmit, ia pat taksuar që të vihej në kërkim të një atdheu tjetër, Italisë.  Kësisoj i armatosur me fuqinë e virtytit, ai u ndesh me plojën e Fatit sepse Enea kurrë s’e pati fatin në anën e vet sikurse e pat gjithmonë Odisea.

Mësoje virtytin prej meje të njëmendtin rravgim, bir; fatin
prej të tjerëve ta mësosh.

Dhe me ndihmën e luftës (megjithëse një gjë në vetvete e urrejtshme) Enea u përball me kundërshtimin e njerëzve. Ia arriti kësaj pavarësisht nga xhelozia e perëndive më pak të fuqishëm, pavarësisht nga dëshira e njëmendtë e tij fuqiplote vetëm për shkak të fuqisë që i vinte nga vevtetja dhe vullneti i epërm i Fatit, ai vazhdoi udhëtimin derisa mbërriti në Itali, në shtëpinë e tij të re.  Italiam non sponte sequor - S’është veç vullneti im që drejt Italisë më shpie.

Të ish që fati më linte shteg jetën ta çoja sipas Vullnetit tim
dhe pikëllimin ta zotëroja më e para gjë që doja
qyteti i Trojës do të qe më i mbrami qëllim qëllim mbi dhé

Nuk gjenden askund vargje më kristiane në të gjithë letërsinë para-kristiane se sa këto. Sainte-Beuve zor se mund të ketë shkruar varg më të vërtetë se sa ai ku shkroi: La venue meme du Christ n’a rien qui etonne, quand on a lu Virgile. Kundër vullnetit të tij atëkohë Enea udhëtoi në atë Itali të cilën nuk e njihte, dhe ishte plot me rreziqe. Por edhe pse  drejtohej prej një vullneti të mistershëm, të pakuptueshëm më të epërm, dalëngadalë mori flakë brenda tij, mu në thelb të shpirtit të vet, një mall i cili ishte i vetmi që kishte megjithëse e komanduar prej Jupiterit, një tokë e premtuar prej të cilës ishte ndarë qysh moti. Asisoj Vigjili i dha heroit të tij atë dashuri për Italinë, jo vetëm për Romën, e cila ishte e tij vetë;,sepse Virgjili nuk ishte thjesht një Roman, ai ishte një Italian gjithashtu.

Sa përplot me paradokse, sa dialektike është jeta e brendshme e Eneas! A ngjan ai në këtë aspekt me ndonjërin prej heronjve të Homerit? Megjithëse i largët në kohë, i një race tjetre, i një vendi tjetër, sidoqoftë në shpirt, nuk bënte dallim të kohës apo racës apo vendit, a nuk ngjan ai më shumë me Abrahamin, atin e besimit? A nuk iu desh Abrahamit gjithashtu të largohej nga atdheun e tij të zemrës,dhe, për hir të besimit dhe në respekt të vullnetit të padyshimtë, një fatum, që i caktoi si tagër pikëllimin dhe zgjuarsinë hidhërake të kujtesës, e cila për një njeri të shenjuar nga fati përbën kuptimin e ndryshimit të atdheut. Kjo ndodhte me Enean.  Kjo përbën thelbin e  madhështisë dhe unitetit artistik të poemave Homerike,  një unitet të cilin ne e humbim, humbim faktin që këta njerëz mund të flisnin, dhe në të vërtetë shpreheshin për atë që u mungonte dhe për atë që kishin. (Për njeriun kjo përbën unitet; megjithëse edhe pse ka prapëseprapë atij gjithashtu diç i mungon.)

Edhe ku nuk e thonë, dhe kur flasin rrejshëm, e tyrja nuk është më shumë se një dolus i thjeshtë, e ngjashme me dredhinë e kafshëve në botën e kafshëve. Heronjtë Homerik mund të shpallin hapur të vërtetat e tyre bashkë me të pavërtetat, dhe të dyja këto janë pjesë e natyrës së vetë-zbulesave. Por Enea nuk mundet ta bëjë këtë. Sikur të gjithë njerëzit fjalëpak, ai mund të flasë vetëm për të vërtetat që janë brenda tij, dhe këtë e bën në të rrallë dhe në mënyrë të mjegullt. Dhe sërish, sikurse të gjithë njerëzit fjalëpak, qoftë kjo prej nevojës ose vullnetit të tyre të lirë, ai nuk del figurë e guximshme si ajo e Akilit apo Odisesë. Është e lehtë ta keqkuptosh, sepse ai nuk është Odisea dinak apo Akili i shquar. Ndofta Virgjili po hedh dritë në këtë rast mbi karakterin e vështirë të Augustit, a nuk ishte ai gjithashtu për shkak të nevojës, fjalëpak? (e cila nuk është, sigurisht, e njëjta gjë me “memec.)

Enea është një burrë hijerëndë, gravis, një njeri që ka barrën e e një ideje të vetme, sepse të pasurit e shumë ideve e bën njeriun të papeshë, por të pasurit e pak mendimeve, mendimeve të ankthshme e bëjnë atë hijerëndë dhe barra e një mendimi të vetëm menjëmend që e bën atë me të vërtetë hijerëndë. Kjo ishte që e bëri atë udhëheqës, e bëri  themelues të Romës.

Në të gjitha rastet Virgjili nuk është  duke u mbështetur vetëm në imagjinatën e tij, ky nuk është thjesht një krijim poetik. Ai shfaq qartë në këtë rast për së vërteti dhe kaq bukur atë çka ndryhej brenda Romës vetë. Dhe me një marrëveshje, pa asnjë çast mëdyshjeje, Roma  pranoi dhe sanksionoi këtë shpjegim për të në duart e poeti më të madh të saj. Ky është një fakt historik, dhe fakt shumë domethënës sepse ajo çfarë një popull nënshkruan dhe përvetëson përgjithmonë si të vetën nga shkrimet e poetëve të saj më të mëdhenj është gjithmonë diçka që është në të njëjtën kohë hem vetë-rrëfim hem vetë-zbulesë.

Gëte, për shembull, kurrë nuk do të mundej të bënte të tyrin Faustin për popullin gjerman nëse ai në të vërtetë nuk do t’u përkiste atyre. Çdo historian i cili do të linte jashtë historisë një fakt të tillë të nxjerrë në dritë nga një poet, lë në shmang diçka të rëndësishme, dhe jo rrallë të tërën, i mohon vetes një çelës thelbësor dhe bllokon një burim të qartë dhe të bollshëm kuptimi.

Roma nuk kishte filozof origjinal përsiatës, por ajo sidoqoftë kishte mendimtarë madhështorë praktikë, relalistë, dhe poeti i saj më i madh ishte një poet, Virgjili. Për të gjithë gjërat madhore apo të thjeshta të realitetit tonë ka përsiatur ai. Ai ideal i mendjes njerëzore, njeriu shpirtëror, bashkimi i urtakut soditës dhe artistit krijues, u realizua vetëm dy herë në botën klasike, për së pari në Greqi tek Platoni i cili ishte mendimtar dhe poet, sipas mënyrës greke; dhe mandej në Romë tek Virgjili i cili ishte poet dhe mendimtar, sipas mënyrës romake. (Tek hebrenjtë e kohëve para-kristiane, të kohës së Testamentit të Vjetër, ky bashkim në të vërtetë nuk u prish kurrë; askush nuk ishte poet pa qenë urtak, dhe askush nuk qe urtak pa qenë gjithashtu  poet.)

Virgjili ka demonstruar se Roma ishte plotësisht e ndërgjegjshme për karakterin e saj, për të dyja, për gjërat që asaj i mungonin ashtu sikurse për gjërat që ajo i kishte me tepri. Ajo i pranonte pa kurrfarë zilie dhuntitë më të larta të grekëve në artet e bukura dhe në filozofi, dhe jo edhe aq në letërsi; dhe me vendosmëri të palëkundur dhe vetëbesim iu përkushtua misionit të saj-i cili nëvetvete ishte gjithashtu art-misioni i qeverisjes. Por misioni i saj, nuk mbështetej në thelbin e vet tek forca. Kur vetëm ajo përbën thelbin përbuzja e Virgjilit është e padyshimtë. Për të, jo vetëm që Catilline, krimineli i vërtetë politik, contemptor divum, përçmuesi i perëndive, i urrejtshëm për të, por për të Sulla dhe Antony-gjeneralë mizorë pas asndonjërin manganministas të shtetarit të vërtetë, gjithashtu kanë fatin e kriminelëve politikë të Dantes. 

Ai fajëson madje edhe Cezarin e madh ngaqë ai nuk sundoi më patrum, sipas traditës së etërve. Misioni i Romës nuk mbështetej thelbësisht tek forca, por më shumë te pushteti, mbështetja tek virtyte të caktuara madhore dhe të thjeshta, më e para e të cilave ishte pietas (mëshira), dashuria, përmbushja e detyrës, shprehje politike e së cilës është drejtësia.

Kësisoj rrjedh edhe paradoksi i një Rome të themeluar jo nga një pushtues por nga një njeri i mundur. Dhe Enea, ikanaku, i cili pas një beteje të humbur ndërton një qytet të ri, ishte paraardhës i Cezarit dhe Augustit. Asnjë shtet i qëndrueshëm, aq më pak një perandori e qëndrueshme, nuk u ndërtua nga grekët, për shkak të cilësive të tyre.  Akili nuk do të shërbente në këtë rast, sepse ishte i rrëmbyer në fitoret e tij dhe, po aq i rrëmbyer, drejt vdekjes. Aq më pak Odisea, ai dinte tepër, ai ishte shumë i paqëndrueshëm dhe kishte sens të tepruar humori, diçka që rezulton të jetë pengesë serioze për një burrë shteti.

Themeluesve të Romës ju kërkohej që të ishin ndërtues dhe rindërtues, dhe jo rrënues qytetesh. Grekët ndërtuan gjithashtu qytete, sigurisht ata na përcollën ne emrine  tyre dhe shkencën e politikës, na mësuan të kuptojmë se ku fshihet thelbi, pikërisht  në atë drejtësi e cila i jep secilit hakun, dhe jo thjesht secilit të njëjtën gjë, por secilit ndryshe, sepse gjithsecili nuk është vetëm i ngjashëm por edhe i ndryshëm nga çdo njeri tjetër.

Grekët, dua të them, filozofët, jo politikanët, e kuptuan këtë shkencë dhe i dhanë asaj emrin e vet, por nuk mundën të ndërtojnë një shtet të vërtetë që reziston në kohë. Grekët, ndërtuan qytete, kjo është e vërtetë, por i ndërtuan ato vetëm një herë; kur u rrënuan ata nuk i rindërtuan sërish. Por Enea do ta kishte rindërtuar Trojën nëse Fati do t’ia kish taksur. Në vend të kësaj ai ndërtoj qyteza latine. Megjithëse Roma do të shkatërrohej shumë herë, ajo gjithmonë do të ndërtohej sërish.

Janë të vërtetat e këtij urdhëri që fshihen brenda Eneidës; të vërteta të cilat megjithëse për një kohë të gjatë mund të mos vlerësohen, sërish do të vij një çast që të shpërthejnë në mënyrë të shkëlqimtë në dritën që lëshojnë vetë e vërteta e ringjallur dhe e sjellur në jetë prej gjëmave të kohës.


Përktheu: Granit Zela


Comments