Jeremy Hawthorn_Qasje kritike ndaj fiksionit



                                                                  
                 
Studimi që vijon është menduar të ndihmoj studentët me anë të shumë mënyrave. Më së pari, shpresoj se do t’a bëj më të lehtë pranimin e ekzistencës së qasjeve të ndryshme kritike (Me qasje kritike unë nënkuptoj si formulimet teorike të kritikut në fjalë ashtu dhe metodat e caktuara të analizës dhe hulumtimit që përdoren prej tij ose saj. Një pranim i tillë ka gjasa të mos jetë i lehtë, megjithëse ndërsa është deri diku e lehtë të përshkruash një qasje kritike me terma abstrakt dhe të përgjithshëm, kritikë të veçantë shpesh ndërthurin një numër të ndryshëm teorish dhe metodash gjatë punës së tyre kritike.
 Së dyti, shpresoj se ky studim i thukët do të ju ndihmoj për të menduar rreth shumësisë së mënyrave me anë të cilave romani mund të lexohet dhe diskutohet.
Së treti, do të vini re se jo të gjitha qasjet e përvijuara më poshtë mund të ndërthuren fare thjeshtë, ngaqë në disa raste ka kundërshti mes tyre. Ju takon juve të vendosni vetë, në raste të tilla, qëndrimin që do të mbani.


(1) Qasje tekstore

Me “qasje tekstore” kam parasysh ato diskutime kritike të romaneve që e kufizojnë vetveten tek informacioni që merret prej teksteve romanore në shqyrtim dhe që diskutohen si të tilla. Sigurisht ky kufizim nuk mund të jetë kurrë absolut - na duhet të marrim parasysh disa njohuri për botën e shkrimtarit kur diskutojmë çdo roman që të mund ta kuptojmë atë - porse kritikët e tekstit parapëlqejnë të përqendrohen te fjalët që lexojnë në roman(e) se sa të mbështeten në informacionin e ashtuquajtur jashtëtekstor gjatë kritikës së tyre. Kritikët e tekstit kësisoj i kushtojnë pak ose aspak vëmendje të dhwnave biografike për autorin (përfshirë këtu shkrimet e tjera të tij ose të saj) informacionit për shoqërinë dhe periudhën historike në të cilën ka jetuar, historinë e receptimit që i ka bërë lexuesi romanit, e kështu me rradhë.

Marrëdhënia mes një kritiku të tillë teksti dhe tekstit të një romani është e ngjashme me atë mes një të Krishteri dhe në pozicione të skajshme kundrejt Biblës; të gjithë të Krishterët nuk ka dyshim që i shohin tekstet biblike me respekt, si burim mençurie dhe frymëzimi, ndërkohë që disa prej tyre mendojnë se Bibla duhet të studiohet në kontekstin e saj social dhe historik shumë të Krishterë të tjerë besnikë të skajshëm të tekstit biblik priren ta lexojnë atë “në vetevete”.

Kritikët e njohur si formalistë marrin një qëndrim posaqërisht përjashtues kundrejt tekstit. Kritik formalist është ai që i kushton vëmendje më të madhe formës së një vepre letrare, por termi është përdorur më së shumti për të shenjuar dy grupe kritikësh: Formalistët Rusë që shkruan kryesisht më 1920-tën, dhe Kritikët e Rinj Anglo-Amerikanë shkrimet e të cilëve mbizotëruan në vitet 1940-të dhe 1950-të. Kritikët e rinj - për ta thjeshtëzuar në njëfarë mase procesin mohuan pak a shumë krejtësisht atë çka ata e quanin informacion “ jashtëtekstor” ose “jo-funksional” duke zgjedhur të përqendrohen te “vepra në vetvete” deri diku e veçuar si e tillë. Për sa i përket metodës ata shpesh përdorin atë që quhet lexim përfundues - duke marrë një pjesë të një romani dhe duke e lexuar në mënyrë shterruese, për të tërhequr vëmendjen tek ato gjëra që unë i kam përmendur tanimë në “listën e detajuar” bërë, qysh në paragrafin pararendës.

Eshtë pranuar botërisht se këta kritikë kanë ndihmuar jashtë mase në të kuptuarit e ndërlikueshmësisë dhe thellësisë së veprave të mëdha të fiksionit, me zhvendosjen e vëmendjes tonë prej diskutimit prapavështrues për subjektet dhe personazhet duke treguar se romani i pranon analizat e fjalëpërfjalshme ashtu sikundër poezia. Kreun “Analiza e fiksionit” nuk do t’a shkruaja dot pa njohur veprën e kritikëve të tillë. Shembulli më i fundmë i një kritike të këtij lloji është libri “Gjuha e fiksionit” të David Lodge. Analiza që i bën Lodge romanit “Jane Eyre” me autore Charlotte Bront në këtë vepër përbën një përvetësim mjeshtëror të asaj çfarë studion, të ngjyresave stilistike të këtij romani duke e shndërruar pothuajse në një poezi që mund të analizohet në lidhje me figurat letrare dhe personazhet.

Një gjë fort e rëndësishme për të cilën këta kritikë na bëjnë të kujtohemi është se romanet krijohen, dhe nuk janë dritare prej kah mund të këqyret drejtpërsëdrejti realiteti. Ata na ndërgjegjësojnë kështu për me qenë më shumë të kujdesshëm kur diskutojmë rreth personazheve dhe ngjarjeve në roman sikur të qenkëshin ngjarje dhe njerëz realë. Një ndikim thelbësor në këtë mënyrë shtjellimi të kësaj çështjeje ka patur edhe eseja e L.C.Knight-it “Sa bij kishte Ledi Makbeth?” (1933), megjithëse nuk merrej me shqyrtimin e një romani por të një drame. Knight-i nuk qe asfare formalist në kuptimin e ngushtë të fjalës, por eseja e tij i ka bërë të ndërgjegjshëm kritikët për rreziqet e marrjes me aspekte të jetës së personazheve letrare që nuk kanë të bëjnë me tekstin.

Ky debat ka ngritur për diskutim çështje të mprehta për lexuesin. Kur ne kridhemi, le të themi, në leximin e një romani të Dikensit ose Tolstoit, personazhet janë të gjallë dhe të vërtetë për ne, në imagjinatën tonë ato janë njerëz realë, problemet e tyre janë njerëzore, dhe ne ndjejmë emocione ndërsa lexojmë, emocione të ngjashme me ato që ndjejmë me njerëz dhe ngjarje reale.

Jo se duhet t’i mohojmë përvoja të tilla imagjinative por duhet t’i përplotësojmë ato me një përceptim të romanit si krijim, si diçka që e ka shestuar autori. Kurdo që ta bëjmë këtë ne duhet ta kuptojmë se të gjitha llojet e teknikave janë përdorur prej shkrimtarit për të bërë të besueshëm përceptimin dhe qëndrimin tonë ndaj personazheve.


(2) Qasje të përgjithshme

Zhanri është një tip ose lloji letërsisë, dhe ne shpesh i referohemi romanit si një nga tre zhanret kryesore letrare bashkë me poezinë dhe dramën. Por ka shumë mënyra të ndryshme për ta klasifikuar në përgjithsi letërsinë, ndërkohë që romani është klasifikuar në një numër nënndarjesh zhanrore prej kritikësh të ndryshëm - diçka që unë e kam bërë vetë në këtë libër kur folëm për “Llojet e Romaneve”. Qasja e përgjithshme ndaj romanit nënkupton faktin se nuk mund të lexojmë ose kuptojmë një roman deri sa të jemi të qartë se cilit lloj i përket - çfarë për shumicën e kritikëve do të thotë të jesh i qartë për qëllimet e autorit në lidhje me veprën e tij ose të saj. Kështu - për ta vazhduar arsyetimin - megjithëse ne e kuptojmë traditën pikareske në të cilën është mbështetur Moll Flanders i Defoe-s ekziston rreziku i mosleximit si duhet dhe keqkuptimit të këtij romani.
Ky orientim i menjëhershëm, drejt të qenit i qartë për llojin e veprës që do të lexojmë, shpesh mund të jetë një nga përparsitë më të frytshme të leximit prej kritikëve. Mbetet gjithmonë një pyetje e dobishme që duhet të ja bëjmë vetes njëherë në disa faqe të lexuara të një romani nëse është e qartë se çfarë romani është.
Nganjëherë autori mund të dojë ta ngatërroj dhe çudisë lexuesin, ashtu si ndonjëherë lexuesi modern ka nevojë për një studim dhe kritikë historike për t’u ftilluar në lidhje me çështje të tilla.


(3) Qasje kontekstuale

Nëse gjëja më e çmuar e punës së kritikëve formalistë ishte zhvillimi i me todës së tyre të analizës kritike, një gjë që së paku nuk është vënë në mëdy shje prej të tjerëve ishte mohimi thuajse i plotë i informacionit “të jashtëm” si ndihmës i leximit dhe kritikës së letërsisë. Ata që i kanë vënë në dyshim sfida të këtilla kanë argumentuar se asnjë thënie - përfshirë veprën letrare - nuk mund të kuptohet si duhet në mënyrë të pavarur prej kontekstit në të cilin është krijuar dhe synohej të receptohej. Një tabelë ku lexojmë “ Të gjithë trenat shkojnë në Viktoria” ka kuptim përsosmërisht të plotë vetëm kur kuptojmë se është projektuar për t’u lexuar në një kontekst të caktuar, brenda të cilit zakonisht është i ngulitur. Kjo është mënyra e zakonshme e leximit. Por vepra letrare nuk është si tabelat e vendosura aty këtu, prandaj ne kemi nevojë për kontekstin i cili largohet në kohë ndërsa romani qarkullon gjatë në një numër situatash të reja leximore që autori nuk i ka ëndërruar kurrë më parë.

Kritikët e Sociologjisë dhe ata Marksistë kanë theksuar pa pushim nevojën e të kuptuarit të kontekstit shoqëror të autorit dhe të pozicionimit të tij ose të saj brenda këtij konteksti, si individ, si pjesëtar i një shtrese të caktuar sociale, dhe si autor (pjesëtar i një grupi letrar, që mbështetet në botues, biblioteka dhe lexues të caktuar, dhe kështu me rradhë).

Le të marrim si shembull novelën “Zemra e Errësirës” së Joseph Conrad-it. Disa kritikë tash së fundi sugjerojnë se novela mund te interpretohet plotësisht në kontekstin e asaj çka fuqitë Evropiane po bënin në Afrikë gjatë fundit të shekullit të 19-të, dhe sidomos në kontekstin e deklaratave që bënë atëherë disa personalitete të shquara belge - përfshirë mbretin Lepopold - në lidhje me shfrytëzimin Belg të Kongos (vend ku Conrad-i punonte). Kështu disa prej deklaratave të Leopold-it për shfrytëzimin (skajshmërisht të dhundhëm dhe tronditës) Belg të Kongos përfshijnë komente për hapje ndaj civilizimit të kësaj zonë te vetme të botës sonë ku civilizimi nuk ka hyrë, dhe për depërtimin e tij në “errësirën që ka pushtuar tërë popullsinë “. Përdorimi prej Conrad-it i fjalëve të tilla si “civilizim” dhe “errësirë” në novelë, është mbështetur se mund të kuptohet plotësisht në dritën e deklaratave të tilla si ato të Leopold-it. Por nuk është vetëm kjo që është e nevojshme të kihet parasysh, vazhdojnë diskutimin disa kritikë që përdorin qasjen kontekstuale. Rrrëfimi jo i drejtpërdrejtë në novelë - pamundësia e Marlow-s për t’i treguar të vërtetën Kurtz-it dhe ndjesia se ai nuk mund të kuptohet prej atyre që dëgjonin rrëfimin e tij, pasqyron gjendjen e evropianit të patrazuar që nuk qe asnjëherë dëshmitar i dhunës së mirëfilltë koloniale sidomos në Afrikë dhe që nuk mundej të dëgjonte të vërteta të asaj natryre që Marlow tregon.

Kjo çështje rrjedhimisht ngre disa probleme. Conrad-i qëllimisht nuk përdori në novelë të dhëna të tilla si emrin e vendit Evropian ose të zonës së Afrikës ku zhvillohen ngjarjet e novelës dhe po të vësh re në novelën “Rinia” ai e bën të qartë se e kundërshtonte ri-përfshirjen e një informacioni të tillë. Është thënë se novela në vetvete nuk përmban informacion kontekstualizues aq sa duhet. Qështjet më thelbësore që duhet të diskutohen janë: çfarë lloj informacioni është më i rëndësishëm? Cili informacion në materialin letrar krijon një efekt vendimtar gjatë shkrimit të veprës?

Kritikët e Sociologjisë së letërsisë kanë tërhequr gjithashtu vëmendjen për ndikimin e rëndësishëm që faktorë të ashtuquajtur botërisht si pjesë e “sociologjisë së letërsisë” mund të kenë në krijimin e veprës letrare ku mund të përmendim me këtë rast: botuesit, shkallën e arsimimit të vendit, rrjetin e shpërndarjes së librit, fuksionimin e bibliotekave, e kështu me rradhë. Është më se e qartë që nëse vetëm një pjesë e shoqërisë është e arsimuar, atëherë kjo do të ndikojë në llojet e romaneve që shkruhen - siç ndodhi në Anglinë e shekullit të 18-të. Dhe nëse suksesi si romancier varet nga qarkullimi i veprës tënde nga librashitësit dhe kjo nuk nënkupton asgjë që përshtatet me një grup pikpamjesh të ngushta morale - si në rastin e Anglisë gjatë pjesë më të madhe të shekullit 17-të, atëherë lexuesi duhet ta dijë këtë përpara se ai ose ajo të shpreh mospëlqimin e vet për portretizimin e marrëdhënieve seksuale në një roman të shekullit 19-të.

                                                                Jeremy Hawthorn
(4) Qasje biografike


Kur lexojmë një roman që na pëlqen shumë prirja jonë natyrale është që të gjejmë për të lexuar vepra të reja të të njëjtit autor. Sa më shumë libra të këtij autori të lexojmë aq më shumë bëhemi më të ndërgjegjshëm për elementë të ngjashëm ose të përbashkët tek to dhe gjithnjë e më shumë fillojmë të ndërtojmë një portret të burrit ose gruas që fshihet prapa tekstit të shtypur duke formuar një ide për vlerat, interesat, dhe qëndrimet e tij ose saj kundrejt gjërave.

Një interes i tillë për një autor mund të na grish të njohim sa më shumë të jetë e mundur personin në fjalë, dhe atëherë ka gjasa të fillojmë të lexojmë romanet në dritën e asaj çka kemi mësuar për autorin - madje edhe në lidhje me opinionet që ai ose ajo ka shfaqur për to.

Një qasje e tillë biografike ndaj studimit të romanit - ndaj leximit të veprave letrare duke iu drejtuar qartësisht fakteve të jetës së autorit, personalitetit, dhe opinionit të tij - në pamje të parë duket e pranueshme - por megjithatë mbart në vetvete probleme dhe ka shkaktuar shumë debate të mprehta. D.H Lawrence porosiste “ Kurre mos i beso artistit. Besoji asaj çka ai rrëfen,” ndërkohë që breza të tërë kritikësh kanë vënë në dukje se romancierët mund të jenë udhërrëfyes shumë të këqinj të veprës së tyre. Pjesa më e madhe e veprave të Franc Kafkës të cilat ne i çmojmë aq shumë sot do të ishin djegur pas vdekjes së tij nëse dëshira e autorit të tyre do të ishte përmbushur. Dickens duhet të ketë menduar se gjëja e vetme në favor të “Djegies rastësore” në librin “Shtëpia e zymtë” që ishte e nevojshme të bëhej qe djegia rastësore e “qenieve njerëzore” të cilën ai e quante një fakt të mirëqenë shkencor. Joseph Conrad është një udhërrëfyes që nuk mund t’i besohet në lidhje me romanet e veta përsa i përket fakteve reale dhe çështjeve të interpretimit.

Pse mund të ndodhë kështu? Ne mund të veçojmë një numër shpjegimesh të mundshme. Së pari atë të frymëzimit. Shkrimtari duket se shpesh përdor pjesën e pandërgjegjshme dhe jo-racionale të mendjes së tij ose saj gjatë krijimit letrar- diçka që është çmuar qysh prej antikitetit me termin “frymëzim”, kohë në të cilën u përdor më së pari. Kësisoj sekretet e veprës së krijuar nuk janë të zbërthyeshme për mendjen hulumtuese, racionale, në të njëjtën mënyrë që janë detajet e thënieve dhe proceseve të tjera. Së dyti, ngase autori mund të dëshirojë të fshehë një të vertetë: një model të marrë nga jeta e perditshme, një element rrefimi në vepra, apo çkadoqofte tjetër. Dhe së treti, autori mund të bëj komente për veprën e tij ose të saj shumë kohë pasi ta ketë shkruar atë.
Kur vimë tek çeshtja e lidhjes që krijohet mes veprës së romancierit me jetën e tij ose të saj, probleme të tjera dalin. Si mund ta dimë se cilat përvoja të shkrimtarit janë reflektuar ose shndërruar në veprën e tij ose saj? Përvoja që duken të parëndësishme për ne mund të kenë qenë vendimtare për personin që i ka jetuar ato-por edhe sikur të jetë kështu, ekziston mundësia që ato të mos kenë ndikuar në shkrimin e një vepre të caktuar.
Nëse gjithçka thamë më sipër ngjan me një problematikë dëshpëruese, më duhet të shtoj në këtë rast se as që është thënë të jetë domosdoshmërisht e tillë: unë përsëri mendoj se të dhënat biografike rreth autorit mund të na japin një ndihmë të madhe duke na mundësuar për të qenë më gjithëpërfshirës në qëndrimin tonë kundrejt nje romani ose tregimi. Por ne duhet të jemi krejtësisht të ndërgjegjshëm për problemet që dalin në procedime të tilla kritike, nderkohë që është gjithmonë e nevojshme të jemi të ndjeshëm në lidhje me atë se çfarë na ofron vepra në vetvete.

Le të marrim si shembull romanin e D.H Lawrence “Gra të Dashuruara”. Duket të ketë shumë gjasa që përvojat e Lawrenc-it në periudhën e Luftës së Parë Botërore të kenë patur nje efekt vendimtar gjatë shkrimit të këtij romani, megjithëse lufta nuk përmendet fare në të (pavarësisht nga fakti se u shkrua gjatë kësaj kohe). Lawrenc-I nuk ishte i papërshtatshëm nga pikpamja mjekësore për të shërbyer në luftë, dhe u bë një i dyshuar për autoritetet për shkak të marrëdhënieve të tij me gjermanen Frieda Von Richtoven, me të cilën u martua. Ai the Frieda u detyruan të braktisnin vilën e tyre në bregdetin Cornish ngaqë dyshoheshin se u jepnin sinjale anijeve gjermane!

Tani megjithëse asnjë nga këto fakte nuk del drejtpërdrejt te “Gra të Dashuruara” është diçka e diskutueshme që një pjesë e madhe e tonit të romanit - komentet plot pakënaqësi për Anglinë - mund të kuptohen plotësisht në dritën e këtyre përvojave të Lawrenc-it. Për më tepër, komentet që bën personazhi Birkin në roman për shkatërrimin që sjell “parimi mekanik” duhet gjithashtu të shihen në kontekstin e reagimit të ndërlikuar të Lawrenc-it kundrejt kasaphanes së luftës - një kasaphane që nuk përmendet fare në roman. Duhet të theksojmë se ky lloj interpretimi është mire të përdoret me kujdes dhe ndjeshmëri të skajshme, ndërkohë që mbetet një mendim i mirë përpjekja për të lexuar dhe krijuar marrëdhënie në një roman veçmas të dhënave për autorin. Nëse informacioni biografik na mundëson të kupojmë më mire veprën ose të qartësojmë pikëpyetjet që na dalin gjatë leximit, atëherë ka shumë mundësi që interpretimi ynë të mos jetë shumë i dhunshëm kundrejt teksit të veprës.


(5) Qasje Psikologjike


Kritika biografike shpesh mund të njësohet me kritikën psikologjike: në për pjekjen që bën për të përdorur veprën si mënyrë për të kuptuar psikologjinë e krijuesit të saj, për të përdorur mandej çdo vështrim të brendshëm përftuar kësodore për të hedhur dritë mbi aspekte të reja të veprës. Kritika psikologjike mund të bëjë sidoqoftë shumë më tepër se kaq: mund të përdor teoritë psikologjike apo ato psikanalitike për të analizuar personazhet e një romani; ose për të analizuar lexuesin në dritën e reagimeve të tij ose të saj ndaj tekstit. Le të përmendim novelën e Henry James-it Rrotullimi i Vidës. Jo pak kritikë kanë bërë psikoanalizën e guvernantes që përmendet në rrëfimin e romanit, duke gjetur te ajo një lloj paqëndrueshmërie mendore të tillë që e bënte atë të haluçinoj dhe imagjinoj fantazmat që ajo i përmend lexuesit.

Problemi që kjo ështje nxjerr është i ngjashëm me atë që cekëm më sipër: marrja me një personazh letrar sikur ai ose ajo të jetë një person i vërtetë. A është diçka e kuptimtë diskutimi për studimin psikoanalitik të një personazhi letrar? A ka një personazh i tillë nënndërgjegje? Sigurisht autori mund të vendos të krijoj një personazh që sillet si individ i vërtetë, madje deri në shkallën e të qenurit i sëmurë mendor, por është jo pak e rrezikshme të marrim si të mirëqenë faktin se autori në mënyrë të pandërgjegjshme mund të krijoj një personazh që ka të njëjtën jetë psikike si një individ i vërtetë .Në të vërtetë çfarë kuptimi ka ky lloj sugjerimi?

Mendojmë se duhet të pranojmë përfundimin se ekziston një pikë gjatë leximit të një romani ku ne i shohim personazhet e tij si personazhe të vërteta në imagjinatën tonë, por këndvështruar kështu mund të shkojmë përtej kufijve të zakonshëm të përfytyrimit dhe do të jetë e nevojshme një analizë e mbështetur në atë se çfarë kuptojmë nga ato si krijime të autorit.

Përdorimi i romanit ose romaneve për të bërë një studim psikanalitik nxjerr në pah probleme të këtij lloji; autori tekembramja është një individ i vërtetë, dhe nëse është deri diku e pranueshme për të bërë një analogji mes procesit të krijimit lertrar dhe atij të ëndërrimit atëherë ne mund të themi se një roman rrëfen për jetën psikike të një autori së paku aq sa rrëfen një ëndërr. Sidoqoftë përpjekje të tilla në përgjithësi nuk i janë dukur dukur bindëse për pjesën më të madhe të lexuesve. Joseph Conrad-i përbën një autor të parapëlqyer për biografi të tilla psikanalitike që mbështeten më së shumti në shfrytëzimin e asj që gjejmë në veprën e tij, por opinioni i përgjithshëm për përpjekje të këtij lloji që për të kuptuar psikologjinë e tij vendoset të paktën një lidhje shumë e diskutueshme, midis veprave dhe autorit që në rastin më të mirë përbëjnë hipoteza që edhe mund të jenë të vërteta.


(6) Qasje të drejtuara kah lexuesi


Nëse do të duhej të përmendnim një përgjithësim të gjerë pjesërisht të përlig jur mund të themi se kritika e romanit deri më 1930-tën kishte më shumë prirje biografike - dhe merrej me autorin po aq në mos më shumë se me veprën e tij; se qysh prej asaj kohe e përkëtej qasjet tekstore dhe sociologjike në studimin e romanit kishin një mbizotëronin (megjithëse shpesh kundërvënëse me njëra tjetrën); dhe që gjatë njëzetvjetshit të kaluar është vënë re një interes gjithnjë e më i madh ndaj lexuesit dhe procesit të leximit.
Kjo mund të shpjegohet deri diku si reagim ndaj përdorimit të tekstit të një romani prej Kritikës së Re si një objekt, objekt që mund të studiohet në mënyrë objektive. Në anën tjetër kritikë të kohëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen, drejt leximit të romanit si një sistem reagimesh gjatë kalimit të kohës. Të tjerë kritikë kanë theksuar se mund të jetë e gabuar të flasësh për “lexues” sikur të gjithë lexuesit (dhe leximet) të ishin njëlloj. Virginia Woolf e titulloi një përmbledhje të saj me ese Lexuesi i Zakonshëm (1925), duke përdorur një frazë të Samuel Johnson-it për të shfaqurr respekt për lexuesin e zakonshëm krahasuar me atë akademik dhe të specializuar. Por kritikë të tjerë kanë nisur të flasin për konceptime të ndryshme në lidhje me lexuesin: për lexuesin e nënkuptuar, lexuesin origjinal dhe lexuesin empirik.

Lexuesi i nënkuptuar është ai lloj lexuesi që sugjerohet prej tekstit, sidomos kur rrëfimtari i drejtohet vetë lexuesit por nuk është e thënë se vetëm kur e bën këtë është i tillë. Kur rrëfimtari i romanit të Jane Austen-it krijon një marrëdhënie intime me lexuesin e tij ai e bën këtë duke marrë me mend llojin e lexuesit: vlerat, interesin, botëkuptimin e tij ose të saj. Mund të themi atëherë se kështu krijohet imazhi i një “portreti” të lexuesit të Jane Austen-it dhe atij lexuesi qe në në të vërtetë bëhemi kur lexojmë romanin në të njëjtën mënyrë që pritet prej autores të lexohej prej nesh.

Kështu megjithëse romanin Emma mund të ulen për ta lexuar dy njërëz të ndryshëm, gjatë procesit të leximit të atij romani, ata mund të bëhen deri diku lexues shumë të ngjashëm ngaqë bëhen ai lexues që romani nënkupton. (Mendoni se si reagojnë njerëzit kundrejt asaj që presin t’u themi atyre.) Sigurisht që hendeku mes asaj se çfarë lexuesi jemi dhe atij lexuesi që romani do të na bëj mund të jetë kaq i madh sa ne mund të rebelohemi kundrejt trysnisë për të ndryshuar.

Një rast të tillë mund të kemi për romanin atë që studentët e mas-medias e kanë quajtur lexim kundërvënës një lloj leximi që pohon vlera, interesa, dhe botëkuptime në kundërshtim me ato që ndjejmë se duhen përfshirë në vepër.
Lexuesi origjinal është dukshëm diçka e krijuar si “audienca e natës së parë” të një drame. Kjo pëbën një përpjekje për ta kuptuar romanin në kontekstin e tij historik duke menduar se çfarë lexuesi i ndjeshëm, inteligjent, i mirë-informuar mund ta pres romani : një lexues që do të reagoj ndaj veprës duke përceptuar në mënyrën më të mirë të mundshme atë çka ofron romani.

Mendoj se problemi qëndron në atë se asnjë lexim i vetëm nuk mund të përfshij gjithçka që një roman i ofron në terësinë e vet lexuesit. Siç kemi vënë tanimë në dukje, mund të përkapim gjëra të ndryshme gjatë leximit të parë dhe të dytë të të njëjtit roman dhe duket e vështirë, nga ana llogjike se si mund të kombinohen këto. Por përveç kësaj lexues me përvoja të ndryshme jetësore vështirë se mund të pritet të lexojnë të njëjtin roman në të njëjtën mënyrë. Kur flasim për lexuesin empirikduhet të marrim me mend , mendoj, se një llogaritar do ta lexoj ndryshe “Bij dhe të Dashur” nga sa e lexon një një minator. Se si mund të jetë saktësisht natyra e ndryshimit sidoqoftë mund të ketë të bëj me çështje detajesh se sa me diçka thelbësore. Deri në çfarë mase ka mundësi që ju të ndikoheni - madje të merni anën e dikujt - në drejtime të caktuar për shkak të përvojave tuaja jetësorë? A ka mungesa në njohuritë dhe përvojat tuaja që mund të ketë ndikim në të kuptuarit negativ të një romani të caktuar? A mundet këto të përmirsohen në një farë
mënyre?

(7) Qasje feministe

Ashtu sikundër feministët e kanë inkurajuar shoqërinë për të parë ndryshe shumë aspekte të kulturës dhe historisë tonë - madje edhe detaje të vogla të sjelljes dhe ligjërimit individual - po kështu ata kanë qenë shumë të suksesshëm për të na bërë t’i shohim veprat letrare në mënyra të reja dhe befasuese. Para më shumë se pesëdhjetë vjetësh “Një dhomë më vete” e Virginia Woolf-it i shkundi lexuesit duke u kujtuar se ata jetonin në një shoqëri patriarkale dhe se ky fakt kushtëzonte mënyrat se si shkruheshin (ose nuk shkruheshin) dhe lexoheshin romanet. Viteve të fundit një numër gjithnjë e më i madh kritikësh feministë kanë mbrojtur mendime sfiduese kundrejt romanit në përgjithësi ashtu si ndaj romaneve të vecanta. Kritikët feministë kanë argumentuar se jo vetëm që grave u duhej të kapërcenin pengesa të mëdha për t’u bërë shkrimtare, porse edhe pas shkrimit të romaneve të tyre ato lexohen këmbngulshëm në mënyrë negative prej lexuesve të gjinisë tjetër. Kësisoj, sapo një grua ia dilte të arsimohej (diçka jo fort e lehtë në të kaluarën) asaj i duhej të përballej me të gjitha paragjykimet maskiliste në lidhje me pritjen që i bëhet veprës së saj.

Virginia Woolf e shpreh qartë:

Ky është një libër i rëndësishëm, mendon kritiku, sepse merret me luftën, ky tjetri është i parëndësishëm sepse merret me ndjenjat e grave në një sallon pritjesh. Për më tepër, siç Woolf bën të qartë, i bie të jetë e vështirë për një grua të shkruaj për gjëra të tilla si lufta për shkak të rolit të saj si shtëpiake brenda të cilit ajo kufizohet, dhe ajo deklaron se një grua nuk mund ta shkruante romanin “Lufta dhe Paqja’.

Kritikët feministë kanë bërë gjithashtu jo pak për të treguar mënyrat në të cilat botëkuptimi maskilist i realitetit ka mbizotëruar në shumicën e fiksionit- sidomos, pa dyshim, nga autorët burra dhe vecanërisht pikpamjet e tyre kundrejt grave. Gratë përgjithsisht portretizohen në lidhje me burrat, dhe shpesh shihen në mënyrë të ngurtë- si pasive, histerike, emotive, “lavire” ose “perëndesha”. Në këtë mënyrë duket e drejtë të themi se vetëm si rezultat i përpjekjeve të kritikëve feministë vitet e fundit portretizimi i grave në veprat madhore të D.H.Lawrenc-it është vënë në dyshim dhe kritikuar, dhe shumë autorë të tjerë janë parë në një këndvështrim të ri.

Nëse kjo mund të quhet negative, e kam fjalën për anën denoncuese të kritikës feministe ana pozitive ka qenë “rizbulimi” ose rivlerësimi i një numri shkrimtarësh (kryesisht gra) veprat e të cilëve janë nënvlerësuar ose harruar. Një numër shkrimesh që kanë mbështetur botimin e veprave të grave shkrimtare- si të autoreve të reja ashtu dhe të së kaluarës- dhe reputacioni i shkrimtareve të tilla si Jean Rhys, Doriss Lessing, Tillie Olsen, dhe të tjera u detyrohen shumë (për të mos thënë krejtësisht) kritikëve feministë.

Në pak a shumë njëzetvjetshin e kaluar lëvizje kritike të quajtura me termat strukturaliste, post-strukturaliste dhe dekonstruktuese janë bërë jo pak të njohura- dhe kanë fituar emër. Brenda një studimi të shkurtër si ky i yni nuk është e mundur të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve të tilla gjë që do të ishte e drejtë për lexuesin që të kishte të paktën tiparet thelbësore të tyre. Lexuesit e interesuar janë të këshilluar të mos reshtin leximet e mëtejshme për to.



Përktheu: Granit ZELA
  
  Faleminderit që e lexove!


Comments