1.
Një rresht i shkruar me hierolglife qe për katërmbëdhjetë vjet me radhë
burim dëshpërimi për të gjithë studiuesit që u morën gjatë me misteret e gurit
të Rosett-ës: Pas pesë vjetësh studimi Champollion-i e përktheu këtë rresht në
këtë mënyrë: "Andaj lëre adhurimin
ndaj Epifanive të vazhdojë në të gjithë faltoret, gjersa të vijë dhimbja e
vdekjes”. Ky ishte përkthimi i njëzetë e katërt që ishte ofruar nga
studiuesit. Ky përkthim u mbajt për pak kohë. Por vetëm për pak kohë. Paskëtaj
filluan të dynden dyshimet dhe ta vinin në diskutim, kësisoj studiuesit
rifilluan sërish punën. Tre vjet punë durimplote dhanë njëmbëdhjetë përkthime të
reja; midis të cilave, ky i Grunfeldt-it, i cili ishte më i pëlqyeshmi: "Kuajt e Epifanive do të mbahen prej
shpenzimeve publike; derisa dhimbja e vdekjes të vijë”. Por, edhe versioni
i mëpasëm, dhënë prej Gospodin-it, u mirëprit nga bota e të diturve me simpati
të madhe: "Prifti do të shpjegojë
mençurinë e Epifanive për të gjithë këta njerëz, e ata do të dëgjojnë me përulje,
gjersa vdekja të vijë".
Shtatë vjet të tjera kaluan, vite
gjatë të cilave njëzetë e një përkthime të reja e jo pak të ndryshme nga njëra
tjetra u bënë,-asnjëra prej tyre krejtësisht bindëse. Por tani, më në fund,
erdhi Raëlinson-i, më i riu i të gjithë studiuesve, me një përkthim që u pranua
menjëherë dhe botërisht si versioni më korrekt, dhe emri i tij u bë i famshëm
brenda një dite. Aq i famshëm, sa edhe fëmijët kishin dëgjuar për të; e aq e
madhe ishte buja që bëri kjo sa edhe
ngjarje monumentale poltike të atij viti sikurse -ikja nga Elba-nuk mundi të bëj që të dalë jashtë vëmendjes.
Versioni i Raëlinsonit ishte i këtillë:
"Kësisoj, mos iu shtëmëng urtisë së
Epifanive, porse kthehu e ndiqe; asisoj do të të shpjerë në paqen e tempujve,
do të të lehtësoj pikëllimet e jetës sate e dhimbjet e mortit".
Ekziston edhe një tekst tjetër i
vështirë sikurse ky që përmendëm: Është i
shkruar me stil popullor-stil i shkrimit egjiptian, me një gjuhë e cila është zhdukur bashkë me dijen e të
gjithë njerëzve që jetonin dyqind e pesëdhjetë vjet para Krishtit. Indianët kanë
lënë shumë dëshmi, në formën e pikturave, në gurë dhe shkëmbij. Studentëve dhe
studiuesve tanë më të shkëlqyer u janë dashur
dy shekuj për të deshifruar kuptimin e fshehur në këto piktura; por megjithatë
janë dy reshta me hieroglife mes figurave tek shkëmbinjtë të Dighton-it të
cilat ata nuk kanë mundur t'i përkthejnë në mënyrë të kënaqshme. Zgjidhjet e
propozuara janë të panumërta; aq sa për të mbushur një libër të tërë.
Kështu që për ne shfaqen
vramendje të pafundme për të depërtuar në misteret e krijuara nga njeriu; vetëm
kur përpiqemi të zbulojmë të fshehtat e
Zotit vështirësitë fillojnë të zhduken. Gjithmonë ka qenë kështu. Në kohën e
Romës antike ishte zakon i Hyjnisë që të përpiqej të fshihte qëllimet e Tij në
organet e zogjve, dhe kjo është praktikuar me durim dhe plot shpresë shekull pas
shekulli, megjithëse përpjekja për të mos shfaqur të fshehtat nuk ishte e
suksesshme, të paktën një herë të vetme. Falltarët mund të lexonin organet e
brendshme të shpendëve po aq lehtësisht sa një fëmijë i kohëve moderne mund të
lexojë shtypin.
Historia romake është plot me
mrekulli interpretimi që këta njerëz të jashtëzakonshëm kryen. Këto arritje të
çudisthme dhe të mrekullueshme të shtien frikën sikurse të ngjallin admirim.
Ata njerëz mund të depërtonin në thelbin e misterit menjëherë. Nëse ideja e gurit
të Rosetta-s do tu parashtrohej atyre, mund edhe t'i kishte mposhtur, por
leximi i organeve të brendshme, nuk pëbënte problem për të. Organet e brendshme
tani nuk përdoren si atëherë bashkë me ëndrrat. Më në fund u zbulua se ato nuk
mjaftonin të ishin vende ku fshiheshin qëllimet hyjnore.
Një pjesë e murit të Valletri-t në kohët e kaluara u godit me rrufe,
reagimi i falltarëve thoshte që, një vendas i atij qyteti herët a vonë do të
zotëronte fuqi hyjnore. "Herët a vonë", duket të jetë kohë e
pafundme, por ç'rëndësi ka, kjo ndodhi, sidoqoftë; ajo çka duhej të bënte
njeriu ishte të priste me durim, të ruante syçeltësinë, e paskëtaj do zbulonte
që rrufeja- goditëse paralajmëronte Cezarin August, dhe ishte shkarkuar për për
sjellë këtë kumt. Pati edhe paralajmërime të tjera të mëhershme. Njëri prej
tyre u shfaq mu përpara se të lindte Cezari August, dhe ishte ndër më poetikët
e prekësit, madje romantik në ndjenjat që ngjallte në të gjitha aspektet. Ishte
një ëndërr. U pa nga nëna e Cezar Augustit, dhe u interpretua sipas ritualit të
zakonshëm nga Atia, para se ajo të lindte, ajo kish parë ënë ëndërr që zorrët e
saj ishin zgjatur gjer në yje dhe kishin mbështjellur qarkun e plotë të tokës
dhe qiellit.
Kjo ëndërr nuk përbënte askurrfarë vështirësie për fatthënësin, por ndryshe
nga ai, Rawlinson-it dhe Champollion-it
iu deshën katërmbëdhjetë vjet për t'u siguruar se ç'kuptim kishin ato. Në ato
kohëra të vjetëra të Romës njeriu nuk quhej i shkolluar derisa të ndiqte një
kurs teologjie në një seminar dhe të mësonte se si të shpërthente kuptimin e
organeve të brendshme. Edhe shkollimi i Cezarit August iu nënshtrua këtij
rregulli. Gjatë gjithë jetës së tij, kurdo që hante mish, ai i mbante organet e
brendshme të tyre dhe informohej mbi planet e Hyut duke ushtruar në këto organe
artin e interpretimit.
Në periudhën e tij të parë si konsull, ndërsa ai po interpretonte shenjat
paralajmëruese, ai pa dymbëdhjetë huta, sikurse i ishin shfaqur edhe Romul-it.
Pasi ofroi flijime, mëlçitë e të gjithë
viktimave kaluan në pjesën e poshtme; një rrethanë që u interpretua nga të
pranishmit që kishin aftësi të kësaj natyre, si një progonzë e padyshimtë e një
fati të madh dhe të mahnitshëm. "I
padyshimtë" është një fjalë e fuqishme, por s'ka dyshim që ishte e përligjur,
nëse mëlçitë ishin kthyer në të vërtetë në atë mënyrë. Në ato ditë mëlçitë e
zogjve ishin jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ngjarjeve të ardhshme, pavarësisht
se sa larg në të ardhmen mund të ndodheshin; dhe ato asnjëherë nuk pushonin së
dhëni shenja.
2.
Ne mund të lëmë m'anësh qindra vjet e të pëqendrohemi te kohët kristiane e
ditët e trazuara të mbretit Stefan i Anglisë. Profetizimi kishte perënduar dhe
kishte kohë që ishte harruar; priftërinjtë ishin pasardhësit e këtij zanati.
Mbreti Henri vdiq; Stefani, ai njeri guximatr dhe mizor, u kthye fluturimthi
nga Normandia për të vjedhur fronin e bijës së Henrit. Ai e kreu krimin e tij,
dhe Henri i Hantingtonit, një prift i lartë në hierarki, vajton për këtë në
kronikën e tij. Kryepeshkopi i Kanterberit e shenjtëroi Stefanin: "Kur
Lordi vizitoi Kryepeshkopin me të njëjtin gjykim që ai kishte ngulitur tek ai i
cili e befasoi Jeremian, priftin e madh: ai vdiq brenda një viti." Krimi i
Stefanit ishte edhe më i madh. Stefani mund të priste; por sigurisht jo
kryepeshkopi.
Mbretëria ishte pre e luftërave të brendshme; kasaphanës, zjarrit, dhe
plaçkitjeve që pushtuan vendin; fatkeqësitë, tmerri, dhe mjerimi pllakosi kudo.
E gjitha kjo ishte rezultat i krimit të Stefanit. Këto kushte të patregueshme
vazhduan për nëntëmbëdhjetë vjet me radhë. Pas kësaj Stefani vdiq dhe u varros
sipas të gjitha ndereve. Kjo të bën të mëshirosh Kryepeshkopin e shkretë, dhe
pas kësaj, ai mund të konsiderohet thjesht një shpirtbutë.
Si e dinte Henri i Hantingtonit që
Kryepeshkopi u dërgua në varrin e tij sipas gjykimit të Zotit për të shenjtëruar
Stefanit? Nuk jep shpjegime për këtë. Ashtu sikurse nuk shpjegon se përse Stefani
pati një vdekje më të kënaqshme se sa duhej ta kishte, ndërkohë që mbreti plak
Henri, paraardhësi i tij, i cili kishte udhëhequr Anglinë për tridhjetë e pesë
vjet duke pasur mbështetjen e fortë e të deklaruar të njerëzve, pati fatin e
keq të mbyllte jetën në rrethana që më së shumti ishin të pakënaqshme, të papërshtatshme,
dhe të zymta. Funerali i tij ishte ndoshta funerali më pak frymëzues në të
gjithë historinë. Nuk ka as edhe një detaj që ka të bëj me të dhe të jetë
interesant. Duket që të ketë qenë thjesht një funeral për Stefanin, dhe edhe në
ditët tona pas kaq e kaq vitesh mbushesh me keqardhje kur kujtohesh që ëpr
shkak të një ngatërrese funberali iu bë një njeriu tjetër.
Kurdo që Zoti dënon një njeri, Henri i Hantingtonit e di se pse ndodhi kjo,
na e rrëfen pena e tij që shkruan me admirim; por kur një burrë ka marrë dënimin
e tij, dhe shpëton, ai nuk jep shpjegime. Është një mister, për të cilin nuk thotë
asgjë. Mendoj që shpesh është e dukshme që ai ndien dhimbje për këto mospërputhje,
por besnikërisht përpiqet të mos e shfaq këtë. Kur nuk mund të lavdëroj, ai e
mbulon vetev me një heshtje të tillë që një person supersticioz mund ta marrë për
kritikë të ndrydhur. Megjithatë, ai ka shumë mundësi për t'u ndjerë i kënaqur
me mënyrën se si funksionojnë gjërat-libri i tij është krejt i hapur për to.
Mbreti David i Skocisë . . . nën ngjyrën e fesë bëri që ndjekësit e tij të
merre në trajtojnë në mënyrë barbare anglezët. Ata zhveshëm gratë, ngulën
shtiza në fëmijës, therën prftërinjtë në altare, dhe, prenë koka sipas imazheve
të kryqëzimit, trupat e tyre i masakruan, ndërsa në shkëmbim ata i ngulën në kryqe kokat e viktimave të tyre. Kurdo që
vinin skocezët, përsëritej e njëjta skenë tmerri dhe barbarie: gra që vikasnin,
pleq që vajtonin mes ofashamave të atyre që vdisnin dhe dëshpërimit të të
gjallëve. Por anglezët triumfuan. Udhëheqësi i burrave të Lothian-it u rrëzua
nga një shtizë, dhe ndjekësit e tij ia mbathën. Kjo se i Plotfuqishmi ishte
fyer nga sjellja e tyre dhe forca e tyre u shpërbë si rrjetë merimange.
Fyer prej tyre për çfarë shkaku? Për shak të kryerjes së atyre kasaphanave
të tmerrshme? Jo, sepse ky ishte një zakon për të dyja palët, dhe nuk mund të
kritikohej. Atëherë, a mos kjo ndodhi sepse kasapahana ndodhi "nën petkun
e fesë"? Jo, nuk ishte kjo arsyeja; ndjenja detare shprehej shpesh në atë
mënyrë të zjarrtë përgjatë shekujve. E vërteta është se Ai nuk ishte fyer nga të
gjithë "ata"; Ai ishte fyer nga mbreti i tyre, i cili kishte bërë një
betim të rremë. Atëherë pse nuk u lëshua ndëshkimi mbi mbretin në vend që të
zbatohej për të gjithë "ata"? Është
çështje e vështirë. Mund të kuptohet nga kronikat që "gjykimet" ndhte
që shpesh të binin mbi personin e gabuar, por Henri i Hantingtonit nuk e
shpjegon këtë.
Këtu është ajo që doli e vërtetë; kënaqësia e kronikanit nuk fshihet aspak.
Në muajin gusht, Providenca vuri në vend drejtësinë e saj në një mënyrë domethënëse;
ngaqë dy nga fisnikët që i kishin shndërruar manastiret në fortifikata, duke i
dëbuar murgjit, dhe duke kryer të njëjtin mëkat, patën të ndëshkim të ngjashëm.
Robert Marmion-i ishte njëri prej tyre ndërsa Godfrey de Mandeville tjetri.
Robert Marmioni, ndërsa ndiqte jashtë armikun, u masakrua nën rrënojat e
manastirit, duke qenë i vetmi që gjeti vdekjen, megjithëse ishte i rrethuar nga
trupat e tij. Ai mbeti një i vdekur i shkishëruar përjetësisht. Në mënyrë të
ngjashme Earl Godfrey megjithëse ishte në mes të trupave të tij, u godit me
shtizë prej një ushtari të zakonshëm këmbësor. Ai e mjekoi plagën por vdiq
brenda pak kohësh, i shkishëruar. Shihni në këtë rast gjykimin e mbramë të
Zotit, që mbahet mend për shekuj e shekuj!
Pesë qind vjet para kohës së Henri-t, disa shenja paralajmëruese mbi qëllimet
e Hyut u interpretuan nga nja Papë, i cili përceptoi, nëpërmjet disa shenjave të
besueshme të dërguara nga i Plotfuqishmi fatin e familjarëve të tij, sikurse
faktin që fundi i luftës ishte shumë i afërt. Por ndërkohë që fundi i botës vetëm
afrohet, po ndodhin shumë gjëra që nuk kanë ndodhur më parë, sikurse ndryshimi
i ajrit, shenja të tmerrshme të dërguara nga Qielli, uragane që ndodhin jashtë
rendit të stinëve, luftëra, murtaja, tërmete në vende të ndryshme. Megjithatë
fundi ishte aq i afërt sa shenjat u “dërguan më perpara që njerëzit të tregonin kujdes për shpirtrat e tyre dhe të përgatiteshin
për gjykimin e mbramë.” Kjo ndodhte para
treqind vjetësh. Në të vërtetë nuk ka ndonjë përmirësim të shenjave parlajmëruese
të Romës së lashtë.
Mark Twain (Samuel Clemens)1835-1910 u lind më 30 Nëntor,
1835 në Florida , Missouri . Kur ishte katër vjeç, familja e tij u zhvendos në qytezën
kufitare të Hannibal-it, në brigjet e lumit të Mississippi-t i cili në atë kohë
ishte shtet ku lejohej skllavëria. Në kërkim të një karriere të re, ai nisi të
shkruante artikuj për një gazetë e Nevada-s ku përdori për herë të parë,
pseudonimin letrar “Mark Twain”, “Kthesa e madhe” e parë për Twain-in erdhi në
vitin 1865 me botimin e tregimit, "Xhim
Buzagazi dhe bretkoca e tij kërcimtare"
në gazetat e të gjithë vendit. Pas martesës në vitin 1870 ai u bë ortak, botues
dhe shkrues i rregullt i gazetës së përditshme Ekspresi i Buffalo-s.
Në vitin 1872,kujtimet e Twain-it dhe rrëfenjat e gjata të aventurave në
kufi u botuan në librin e tij, Të përballesh. Në vitin 1873, shkrimet e tij u përqendruan në kritikën sociale. Ai
dhe botuesi Charles Dudley Warner ishin bashkë-autor të Epoka e lyer me ar, roman që sulmonte korrupsionin politik,
etjen e pafund të bizneseve të mëdha për t‘u pasuruar që dukej se po mbizotërontë
në epokën e tij.
Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve (1874-1891), Twain përfundoi disa prej
romaneve të tij më të famshme si Aventurat e Tom Sojerit (1876) Jeta ndanë Misisipit (1883) të cilat kishin edhe kujtime që lidheshin me Missouri-in sikurse
përshkrime dhe tablo të jetës amerikane. Princi dhe i vobekti (1881) eksploronte marrëdhëniet mes klasave
të ndryshme ashtu si Një janki prej Konektikati në oborrin e mbretit Artur (1889) i cili, duke e çuar më tej kritikën
e tij sociale, kritikonte shtypjen në përgjithësi ndërsa analizonte bumin
teknologjik të kohës. Ndërkohë që, Aventurat e Hakëlber Finit (1884),ndoshta vepra e tij më e famshme, satirizonte
institucionin e skllavërisë, përqeshte dështimet e periudhës së Rindërtimit dhe
shpërfilljen e vazhdueshme të afro-amerikanëve.
Vitet 1891-1900, ishin vite të cilat Twain dhe familja e tij i kaluan
duke udhëtuar nëpër botë. Gjatë kësaj periudhe ai ishte dëshmitar i shfrytëzimit
qeverive të dobëta evropiane, gjë që e përshkroi në librin e tij, Në gjurmët
e Ekuatorit (1897). Kur u kthye në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1900, Twain-i u deklarua anti-imperialist
dhe, prej vitit 1901 derisa vdiq, shërbeu si zëvendës/president i Ligës Anti-Imperialiste.
Në vitet e fundit, shkrimet e Twain-it nisën të fokusohen në zilinë dhe
mizorinë, duke vënë në dyshim humanizmin e racës njerëzore. I etiketuar si
tradhëtar, disa nga veprat e Twain-it nuk u botuan kurrë gjatë jetës së tij ose
sepse revistat nuk do t’i pranonin ose për shkak të frikës personale që
reputacioni i tij do të rrënohej. Sidoqoftë Twain gëzonte popullaritet të
jashtëzakonshëm i cili vinte prej satirës së tij të zgjuar dhe të pakompromis. Më 21 Prill, 1910, Mark Twain (Sam Clemens) vdiq
në moshën 74 vjeç. Shkrimtari William
Faulkner e ka quajtur “babai i letërsisë amerikane” ndërsa pas vdekjes ai i
tejkaloi përmasat e zakonshme të famës dhe u kthyer në një ikonë të kulturës dhe
humorit amerikan në të gjithë botën.
Përktheu: Granit Zela
Comments
Post a Comment