Babilonia





O Zot i gjithësisë po prishet gjithësia
rrëmujë e katrahurë si Babilonia
atdheu po udhëhiqet e digjet nga judët
nga të pabesët të pafetë dhe të paudhët
AJME ne të pafatët të paatdhe si Hebrenjtë
AVE përgjithmonë emrit tënd të shenjtë

bekuar qoftë emri yt dhe u bëftë dëshira jote
do të vajtoj për veten mu te Muri i Lotëve
mëkatarët kudo zdërhallen në llumhane
lumenjtë janë pa brigje dhe brigjet pa vahe
AJME tradhëtarët Krishtin çuan në kryq
AVE vdekatarët ti çoji në Gjyq

shenjtorët akuzohen sot si heretikë
jep urdhër të ndëshkohen këta të shurdhër
askurrnjëri ndër ta s’di për t’u falur e lutur
e përgjakin atdheun ngase janë të verbër
po unë këtë kam s’kam atdhe tjetër
o mbret mbi mbretër

të them i gjallë nuk jam i gjallë
të them i vdekur nuk jam i vdekur
kalëroj pa kalë krim pa ndëshkim
vetëm uri e çmenduri
o Ati im

dua të flas e nuk flas dot
gaz i pagaz gojë e pagojë
do a nuk do krim ka kudo
këtu të rrosh si të mos rrosh
kohën e bjerrin e tjerrin terrin
Zot s’ka kush më del zot

Krishtin mëshirëplotë pa mëshirë e kryqëzuan
ai veç ka uruar turma e ka truar
paqësisht mes kombeve donte të ngrinte ura
poshtërsisht e dënuan me kobe e tortura
AJME jam i përgjuar por jo i përgjunjur
AVE jam i munduar por jo i mundur

o Zot kundër nesh pse nuk lëshon rrebesh
rrëfe për Golgotën edhe shfre mbi botën
nëse Cezari duhet të marrë çka i takon Cezarit
atëherë çka i takon pse s’i jep barbarit
faltoret e kësaj republike janë shtëpi publike
tempull nuk gjej dot e tash ku të lutem
trandet dheu i atdheut
shembet me zhurmë gjithkund
turmë e çmeritur më ndjek duke britur
do të më vërë përfund e çoroditur
përmbys e përmbyt përul e përkul
jepi fund duke i shkuar në hi plumb e shkrumb!


Ajo që evokohet në vargjet e librit “Në studion time hermetike” është një domesticum bellum (lat. luftë e brendëshme) e unit që jashtësohet nga përbrendësia me një zë të butë e të përvajshëm prej pezmit të përçudinimit të individit dhe atdheut, individit dhe botës ku gjallon ai. Zela duket është nga poetët e paktë të brezit të ri që i përulet ende me nderim parimit nos patria genuit et educavit (lat. atdheu na fali jetën dhe na edukoi).

Ndër poezitë më mbresëlënëse të librit dhe që e shpërfaqin pezmin e përçudnimit të individit dhe të atdheut janë poezitë me referenca biblike si “Babilonia” (fq. 14-15), “Betlehem” (fq. 18-19), “Do të kryqëzojnë prapë, mos u ngjall o Krisht” (fq. 28), “Nata para njeriut” (fq. 44). Edhe në aspektin stilistik këto poezi paraqesin një larmi ornamentesh estetike që përfaqësojnë një gamë të gjerë figuracioni letrar në strukturë, formë dhe kumt. Në këto poezi bie në sy moskuptimi dhe kaosi njerëzor që priret drejt instiktit për të konsumuar apo përdhosur gjithçka deri tek vlerat që rigjenerojnë botën tonë shpirtërore dhe mobilizojnë forcat e brendshme për të përballuar trillet e fatit. Poezia “Babilonia” fillon me një pasthirrmë lutëse drejtuar Zotit, vazhdon me përsëritjet e leksemës “gjithësi” në dy kontekste të ndryshme dhe me sinonimet “rrëmujë” e “katrahurë”, për të shkuar më tej tek antonomazia - “judët”, përgjithësuese për tradhëtarët e Njeriut, Zotit dhe Atdheut, më pas vijnë në aliteracione në vargun e katërt “të pabesët të pafetë dhe të paudhët”, dhe dy vargjet e fundit zënë fill me “Ajme” dhe “Ave”, të cilat mund të themi se përbëjnë në këtë poezi deri në njëfarë mase një gjysëm epifore ngase përsëriten në të njëjtin pozicion zanafillor dhe fundor edhe në dy strofat e tjera pasuese.

... Poezia “Babilonia” fillon me një pasthirrmë lutëse drejtuar Zotit, vazhdon me përsëritjet e leksemës “gjithësi” në dy kontekste të ndryshme dhe me sinonimet “rrëmujë” e “katrahurë”, për të shkuar më tej tek antonomazia - “judët”, përgjithësuese për tradhëtarët e Njeriut, Zotit dhe Atdheut, më pas vijnë në aliteracione në vargun e katërt “të pabesët të pafetë dhe të paudhët”, dhe dy vargjet e fundit zënë fill me “Ajme” dhe “Ave”, të cilat mund të themi se përbëjnë në këtë poezi deri në njëfarë mase një gjysëm epifore ngase përsëriten në të njëjtin pozicion zanafillor dhe fundor edhe në dy strofat e tjera pasuese.

Në këtë poezi, si rrallë në letërsinë shqipe, është stilizuar me denduri dhe me mjaft finesë edhe shprehja paranomaziane si në vargjet “kohën e bjerrin e tjerrin terrin”, “Zot s’ka kush me del zot”, “jam i përgjuar, por jo i përgjunjur, ... jam i munduar por jo i mundur”, “rrëfe për Golgotën dhe shfre mbi botën”, “faltoret e kësaj republike janë shtëpi publike”, “përmbys e përmbyt, përul e përkul”, të cilat përveçse janë paranomazi, nganjëherë shkojnë në kufinjtë e paradoksit dhe të oksimoronit duke e mahnitur lexuesin njëtrajtshëm me kumtin edhe me efektet e tjera të estetizimit stilistik.
Kjo është “Babilonia” e rrëmujshme dhe e pasur në larminë e saj; me kopshtet vezulluese dhe me krimin çnjerëzor, univers poetik dhe klithëm sociale therëse, lutje drejtuar Zotit të njerëzve dhe njerëzve të Zotit.
Tek poezia “Do të kryqëzojnë prapë, mos u ngjall o Krisht”, që në titull Zela stilizon me një figurë tjetër befasuese dhe të rrallë në letërsinë tonë, - asteizmin. Poezia është e gjitha asteike, me një tis shakaje te dhemshur për fatin pa fat dhe (vetë)flijimin pa lavdi dhe dobi të njeriut të përkorë që priret nga morali dhe drejtësia në një realitet të zymtë antihuman. Si një veçori tjetër, pothuajse shumë e rrallë për letërsinë shqipe të re, vjen përmes poezisë së Zelës edhe nga stilizimi i vargjeve në stikamite dialoguese midis “unit” dhe “tjetrit” si ato në fletët me numrat 27 dhe 34, të cilat shpërfaqin ndjesi lirike, idilike dhe intime me fjalë të shpejta të formuluara në trajtë të kodifikuar sipas natyrës së dialogut ku trajtohen raporte njerëzore intime.
Poezia e Zelës është përnjëmend mbreslënëse, sinkretizuese veçorish tipike të traditës poetike shqiptare, krejtësisht e veçantë dhe unike në stil. Ajo përfshin në materien e saj një amalgamë realitetesh jetike, filozofike, psikologjike dhe sociale, të cilat hyjnë në letërsi si përvoja dhe reflektime të unit mbi kohën, njerëzit dhe ngjarjet që e bashkëshoqërojnë ekzistencën në udhëtimin e vështirë të jetës. Vargu i kësaj poezie vjen i matur dhe i stilizuar me finesë. Kodifikimi gjuhësor i vargut vjen dialogues e po aq dhe ikonik njëherësh, duke evokuar mesazhin e argumentuar logjik njëherësh me mesazhin ambig dhe simbolik me një polifoni kumtesh të cilat në fund të fundit i takon receptuesit t’i rindërtojë sipas përvojës leximore, shkallës së inteligjencës dhe imagjinatës së vet. 

Petrit Nika 
Arti si formë rezistence dhe kaosi biblik “Në studion time hermetike” 
 (Mbi librin poetik "Në studion time hermetike" të Granit Zelës)
Gazeta "Standart"

Comments