Kur në Shqipëri pritej hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Presidenti vdiq aksidentalisht nga ngecja e një kokërr fasuleje në fyt. Vdekja e presidentit të një vendi kandidat për në BE prej një kokërr fasuleje ishte zhgënjyese për të gjithë anëtarët e qeverisë por sidomos për Kryetarin e Kuvendit i cili duke qenë se sipas Kushtetutës së Republikës vinte i dyti në hierarkinë shtetërore, mblodhi menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por kësaj radhe në fshehtësi të plotë.
Agjenda e takimit e cila iu përcoll Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Ekonomisë, Shefit të Shërbimit të Fshehtë Shtetëror, ishte formuluar kësisoj: Diskutim nëse vdekja e Presidentit të Republikës nga një kokërr fasuleje cenon interesat kombëtare të Shqipërisë dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Marrja e vendimeve përkatëse.
Kryetari i Kuvendit parashtroi në mbledhje shqetësimin që pasqyrimi me tone ironike dhe përqeshëse i vdekjes së presidentit nga media ndërkombëtare do të shkaktonte dëmtim të imazhit të Shqipërisë në botë.
- Imagjinoni reagimin që do të shkaktonte në parlamentet e vendeve të BE ku deputetët e tyre do të gajasen me Shqipërinë zotërinj, - theksoi Kryetari i Kuvendit. – Aha, ky është ai vendi që do të bëhet anëtar i BE? Ky vendi Presidenti i të cilit vdiq nga një kokërr fasuleje, hi, hi, hi, hi! - do të gajasen ata me shoqi-shoqin duke mos ratifikuar hapjen e negociatave. - Oh jo, ju lutemi-- do të britin të tjerë, sikur po refuzojnë një porosi të gabuar në kafene, -Një herë tjetër se sot nuk po marr gjë, nuk po e ratifikoj pranimin...” Kryetari i Kuvendit, kuptohej qartë se ndjehej i tradhtuar nga Presidenti. Hmm, kjo është gati tradhti kombëtare...tha gjithë zemërim duke u ulur në kolltuk.
Kryeministri nga ana e tij, nuk tha gjë se nuk ishte në mbledhje ngaqë po negocionte për zgjidhjen e një konflikti në Etiopi, ndërsa shumica dhe opozita atje ishin në prag të një konflikti të armatosur. Nuk pranojmë asnjë negociator, u cituan ata të kenë thënë në medien botërore, por të mos vij këtu e të luaj rolin e tij historik në nivel botëror kryeministri i Shqipërisë. Por Kryeministri nuk mund të ndërhynte shpejt se kërkimet se në ç’pjesë të globit ishte në atë kohë duke vendosur paqen në botë, merrnin kohë. Nuk kishte një agjendë të përcaktuar pasi gjithçka varej se si ecte fati i konflikteve në glob, dhe se ku kishin nevojë për të.
Kësisoj, pas Kryetarit të Kuvendit, fjalën e mori Shefi i Shërbimit të Fshehtë i cili tha se do të ishte më dinjitoze nëse kjo vdekje qesharake e zotit President të thuhej se ishte vepër e njërit prej shërbimeve të fshehta të vendeve të BE-së që nuk pranojnë anëtarësimin e atypëratyshëm të vendit tonë por e shtyjnë me hë sot e hë nesër. Në këtë mënyrë, do të zhvendosim vëmendjen e popullit tonë nga një kokërr banale fasuleje tek zhvillimet e fundit politike në rajon, dhe madje, edhe më tej, do t’i jepej kësaj vdekjeje një përmasë kombëtare. Strukturat e shërbimit të fshehtë shqiptar i kanë të gjitha kapacitetet dhe burimet njerëzore që ta zbulojnë një skenar të tillë, nëse ky do të jetë vendimi i kësaj mbledhje të jashtëzakonshme, - përfundoi ai.
Ministri i Brendshëm, djalosh i diplomuar për Gjuhë-Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës dhe autor i një libri me poezi erotike si duket, i ndikuar nga leximet letrare, e lidhi kokrrën fatale të ngecur në fytin e Presidentit me kohën e Evës dhe Adamit, kohë kur thuhet se Eva hëngri një mollë, por ne e dimë që nuk ishte mollë, shtoi ai, dhe edhe në këtë rast, kjo kokërr fasule nuk është një kokërr fasuleje, por një shkëndijë që mund të hedhë në erë këtë fuqi baruti me emrin “Ballkan”, nëse nuk marrim vendimin e duhur si krerë shteti që jemi. Ai mendonte se nuk duhej të nënvlerësoheshin rapsodët të cilët mund ta kthenin në këngë këtë ngjarje me vargjet: President të raftë pika/Të ngeci fasulja te grika. Ose larg qoftë, bëri parashikimin e kobshëm ai, sikur vargjet Bajroniane që ngrenë lart virtytet tona të zëvendësohen me vargjet pseudo Bajroniane: Ka oreks Presidenti i shqipeve/Fasulet janë të mira/Veç të ishin më të ziera…duke ngritur hipotezën se ajo kokërr fasuleje nuk ishte e zier mirë ndaj dhe kishte ndodhur vdekja, hipotezë që ngre dyshime për aftësitë e gatimit që ne kemi si popull.
Ministri i Mbrojtjes e mori fjalën duke bërë një panoramë të transformimit të ushtrisë shqiptare pas viteve 1990. Përmendi me detaje të gjithë fazat e transformimit, reformat e kryera, theksoi se asgjësimi i municioneve të tepërta nga Lufta e Ftohtë ishte kthyer në një dhimbje koke për të, dhe në fund, tani që ne jemi vend anëtar i NATO-s doli më në fund në temë ai, si do të kem fytyrë unë t’u falë para gjeneralëve të NATO-s dhe t’u them se Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ndërroi jetë si pasojë e një “kokërr fasuleje?”
- Jo nga një granatë, goditja e një tanku, një rakete, ose të paktën nga një kapsollë dreqi e mori, - shfryu me zemëratë ai, - por nga një kokërr fasuleje, një kokërr, ja kaq, - bëri shenjë me gishtin mesit i skuqur në fytyrë. - Kjo mund të na shkaktojë probleme me NATO-n, - ndoshta mund të çojë deri në “çanëtarësimin” prej saj, - e përmbylli fjalën me një lloj revolte. Për një çast, të gjithë shtangën nga fjala “çanëtarësim”, e cila mbeti pezull sipër kokave të tyre të ngrira të cilat sikur u rikthyen në jetë pasi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i cili nisi ligjëratën e tij.
- Zotërinj!- thirri ai me ton ushtarak, ton i cili një pjesë e tyre menduan se do të ndiqej nga komanda “zjarr!” por që u pasua me fjalët: - Vdekja prej dezertori e Presidentit nuk duhet të shkurajojë askënd! Kjo vdekje tejet joheroike dhe aspak e denjë na ka çarmatosur të gjithëve, dhe efekti i saj në Forcat e Armatosura do të jetë më shumë mundësi më i rëndë se hapja e depove ushtarake në vitin e zi 1997! Më pas Shefi i Shtabit tha se ky lajm do të kishte ndikim gati shkatërrues në moralin e trupave të përfshira në pjesë të ndryshme të globit në luftën kundër terrorizmit. Mund të ketë madje, shtoi ai i revoltuar një nënvlerësim aq të madh dhe shpërfillje kaq turpëruese për ne nga terroristët sa të mos na përfshijnë një asnjë listë me vendet ku ato do të kryejnë këto akte që cenojnë vlerat e lirisë. Në këtë mënyrë ne do të bëhemi të panevojshëm për NATO-n dhe partnerët tanë.
Ministri i Punëve të Jashtme argumentoi se bërja publike e një vdekjeje të tillë do të shkaktonte një valë të re Euroskepticizmi,e cila do të kthehej në një dallgë të stërmadhe që do të përmbyste Shqipërinë, një vend i vogël gjithsesi, pavarësisht se në këngët popullore të tipit “Xhamadani vija-vija” ky vend vetëm rritej e bëhej i madh sa më s’ka. - Të mos harrojmë që edhe vendet fqinje kanë raposdët e tyre, - solli në vëmendjen e krerëve të shtetit ai. -Dhe në shumë këngë të rapsodëve të tyre, vendet ngjitur me ne kanë arritur përmasat e Kanadasë dhe Indisë. Pra, të jemi realist, qarkullojnë andej – këndej pa hesap këngë të tipit “Xhamadani vija-vija/O sa e madhe është Maqedonia”, dhe madje edhe “Xhamadani vija-vija/O sa e madhe është Serbia, se Greqia po se po . Ky ishte edhe medimi i diplomatëve tanë të akredituar në ato vende. Ministri garantoi se diplomatët tanë nuk po rrinin duarkryq por kishin hedhur në tregjet muzikore të Evropës këngë në tekstet e të cilave Shqipëria ishte shumë më e madhe se vendet fqinje të marra së bashku, aq sa të krijohet ideja se Shqipëria është Bashkimi Evropian, përfundoi ai me një lloj kënaqësie të dukshme për punën e mirë të diplomatëve tanë nëpër botë.
Ministri i Ekonomisë i cili shprehu shqetësimin për rënien e tregut të fasules pas bërjes publike të mënyrës së vdekjes së Presidenti dhe ndikimin që do të kishte kjo në ekonominë e vendit. Ai kishte dyshime dhe frikëra se meqë “fasulja” ishte përfshirë në vdekjen e presidentit, militantët e partisë opozitare dhe nacionalistët do ta bojkotonin blerjen e saj duke shkaktuar krizë ekonomike.
Në fund, Kryetari i Kuvendit shprehu propozimin e tij që mënyra sesi kishte vdekur Presidenti duhej të mbahej e fshehtë dhe ata duhej të betoheshin që nuk do t’ua tregonin këtë fshehtë askujt, as grave. Mbledhja u mbyll me këtë vendim i cili u mor në mënyrë unanime, si rrallëherë në historinë e mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pasi mbledhja mbaroi, ata burra shteti ngjanin me personazhet e baladës së murimit ku plaku u ka thënë se duhej të murosnin nusen që do t’u shpinte drekën të nersërmen por të mos ua tregonin këtë të fshehtë në darkë.
A do t’i tregonte ndonjëri prej anëtarëve të Këshillit të Sigurisë gruas se si kishte vdekur zoti President? Nëse po, kush do të ishte ai? Do të shkonte menjëherë në shtëpi dhe do t’ia rrëfente të fshehtën për të cilën ishte betuar se do ta mbante brenda vetes apo do t’ia çonte me sms duke u justifikuar se mesazhi ishte nisur gabim dhe kjo do t’i sillte një lloj lehtësimi, vriste mendjen Ministri i Brendshëm ndërsa po i afrohej shtëpisë tek lagjja që dikur njihej si “Blloku”.
Pasi zbriti nga makina tip “Jaguar”, po ngjiste shkallët e pallatit kur iu duk sikur dëgjoi vargjet e një kënge. U ndal dhe dëgjoi refrenin: Kur më zbret gruja nga benzi,/Mendja më vete tek seksi. Eh, rapodët, mendoi ministri. Ata janë kudo kohët e fundit, nuk lënë ngjarje pa kthyer në këngë. Kur hapi derën me nxitim dhe u turr drejt tualetit e shoqja mbeti e pataksuar pasi në vend të ritualit të përhershëm që bënte sapo hapte derën duke shtyrë derën dhe duke puthur lehtë në faqe gruan, ai nga nxitimi kësaj radhe shtyu gruan, puthi me nxitim derën dhe u turr drejt tualetit. Unë nuk do t’ia tregoj gruas time të vërtetën e vdekjes së presidentit, u betua me vete ai, duke mbyllur derën e banjos.
E shoqja, e shastisur nga shprehja e tij e fytyrës, e harroi incidentin e shtyrjes së pakmëparshme duke e pyetur se cfarë kishte pasi kishte një çehre të vdekuri.
- Më ka kapur diareja, - u ankua ai duke hapur televizorin.
Në TV pa dhe dëgjoi të pamendueshmen. Kryetari i Opozitës kishte dalë në një konferencë për shtyp ku denonconte atë që ai e quante “vdekje banditeske e Presidentit të zgjedhur me votat e shumicës” duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
- Kjo qeveri, - sokëlliu Kryetari i Opozitës, ka pasur një mandat qeverisës të ngjashëm me ofertën e internetit. Kjo ofertë ka qenë për katër vjet por me aktin e vdekjes së shëmtuar të zotit President prej një kokërr fasuleje ajo i ka harxhuar të gjitha giga byte-t e ofertës dhe koha e saj ka mbaruar! Duke u ankuar se Opozita ishte e pafuqishme për të frenuar revoltën popullore të njerëzve të indinjuar nga kjo “vdekje e neveritshme” ai i bënte thirrje popullit të tij që të nesërmen në orën dhjetë të vetëpërmbaheshin dhe të mos i vinin flakën godinës së kryeministrisë dhe më pas të mos sulmonin me armë Kuvendin duke e pushtuar atë.
Menjëherë në konferencë për shtyp doli Kryetari i Kuvendit i cili e përgëzoi Presidentin për “vdekjen dinjitoze prej burri shteti.” - Ndryshe nga keqinformimi i qëllimshëm se zoti President paskërka vdekur nga një kokërr fasuleje, siguroj popullin që ai i ka vdekur duke lexuar Kushtetutën të cilën e respektonte dhe e ruante si sytë e ballit, - tha Kryetari i mbushur me krenari para kamerave.
Ndërkohë, ai denoncoi grushtin e shtetit të opozitës e cila me një kauzë të sajuar, kauzën e një kokërr fasuleje kërkon të nga largojë nga Evropa duke na kthyer dhjetëra vite mbrapa, në kohën kur pushteti merrej me dhunë. - Në demokraci pushteti merret me dashuri, - theksoi Kryetari. Pushteti është si një femër delikate që duhet respektuar, duhet ta mbrosh, t’i bësh komplimenta, t’i bësh dhurata dhe dhurata që ne i bëjmë shtetit tonë është puna jonë për të mirën e qytetarëve tanë.
Bravo më qoftë, tha ai me vete ndërsa pyeti Shefin e Shërbimit të Fshehtë se kush e kishte nxjerrë sekretin shetëror të vdekjes së Presidentit duke çuar nëpër mend atë çast fytyrat e të gjithë anëtarëve të Këshillir të Sigurisë si për të gjetur ndër ato fytyra tradhëtarin. Në të vërtetë, mbledhja e Këshillit të Sigurisë, kishte ngjarë me Darkën e Fundit, ku Presidenti i vdekur ishte si të thuash Juda.
- Gruaja e Zotit President- iu përgjigj tjetri.
E kishin gjetur duke vajtuar mbi trupin e tij me fjalët: Na le, shpirtushi im, fati nuk të eci,/ Të ngeci ajo kokërr në fyt të ngeci./Oi, Oi, Oi, Oi
Eh, ia bëri me vetë gjithë keqardhje Kryetari i Kuvendit, për fatin e zotit President, edhe kësaj here shkak i trazirave në vend dhe në rajon do të jetë si gjithmonë një grua. A nuk ishte emri i një gruaje me emrin e cila deklaroi se firma e saj rentiere kishte falimentuar, duke falimentuar me këtë rast shtetin shqiptar të asaj kohe?
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ministri i Brendshëm e çoi edhe njëherë përsiatjen e tij tek koha e Evës dhe Adamit duke thënë se Zoti kishte thënë Evës të mos i qasej pijes Coca Cola, por ajo e trullosur nga reklamat e pafundme nga mëngjesi deri në darkë që reklamonin cilësitë e jashtëzakonshme të kësaj pijeje e piu pijen e ndaluar duke u dëbuar përgjithmonë nga parajsa dhe kjo vërtetonte më së miri pushtetin e pakontrollueshëm të reklamës. Ne duhet t’i bëjmë reklamë vdekjes heroike të presidentit, vijoi ai, në media, sidomos në media, pa nënvlerësuar rapsodët.
Rapsodi popullor me sponsorizim nga shteti thuri këngë të ndryshme për presidentin me vargje të tilla si: President zemërluan që nuk njohe kurrë tutë/Skënderbe i kohës tonë, shpirtin dhe mbi Kushtetutë! Këngë të tilla jehuan anembanë vendit me përjashtim të këngës së një pijaneci, një rojtari varrezash me emrin Qani, i cili sipas raportimeve të informatorëve nuk hiqte dorë nga e tij për të kënduar këngën folklorike me vargjet e degjeneruara për të shoqen që ai e përfytyronte sikur zbriste nga benzi, por që tani kishte shtuar edhe dyvargëshin e shthurur: Kur më vjen gruaja nga fisi, mendja më shkon tek pubisi.
Në konferencën për shtyp të Kryetarit të Opozitës iu bë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë të kthehej më në fund në atdhe pasi kishte dy muaj që shëtiste nëpër kryeqytet evropiane kinse për të zgjidhur problemet e BE-së dhe tani ishte hedhur në Lindje të Mesme për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Palestinës.
- Nuk kemi nevojë për një kryeministër të vendit të vogël që luan rolin e liderit global, - tha Kryetari i Opozitës por për një kryeministër që zgjidh hall, hallin e fshatarëve të tij.
Kryeministri iu përgjigj këtyre akuzave me anë të një konference për shtyp të dhënë me “Skype” për gazetarët ku shfaqi sukseset e tij në arenën globale duke dhënë lajmin befasues se po organizonte një koalicion ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Kishte ndërmend të kryesonte për disa vjet OKB-në dhe në agjendën që do të krijonte më pas, nuk do të harronte të vizitonte edhe këtë vend të vogël kryeministër i të cilit ishte.
Ai e mbylli konferencën për shtyp me bindjen e plotë se gazetarët nuk kishin asnjë pyetje pasi ai kishte bërë një tablo të mjaftueshme të agjendës së tij të ngjeshur duke njoftuar se ai ishte konsultuar edhe me agjendën e Papës i ishte vetë-ofruar atij që një pjesë të këtyre vizitave në nivel ndërkombëtar ti kalonin atij duke ia hequr kësisoj Papës lodhjen fizike që të shkaktojnë udhëtime të tilla të gjata nga njëri cep i globit në tjetrin.
Dhe ndërsa kryeministri i Shqipërisë sillej vërdallë nëpër botë për të sjellë paqe kudo që shkonte, vendi i tij po shkonte me shpejtësi drejt luftës civile për shkak një kokërr fasuleje. Opozita ishte gati për t’i vënë flakën Kuvendit nëse nuk pranohej një hetim ndërkombëtar se pse njëmijë e një qytetarë hipën në tarracat e apartamenteve dhe kërcënuan se do të vetvriteshin.
Televizionet dhanë drejtëpërdrejt pamje që të shtinin tmerrin dhe të gjithë pyesnin se ku ishte kryeministri që të mbante përgjegjësi për qytetarët e vet, por kryeministri kishte kaluar në Kili, ku kishte takuar disa kongresmenë të senatit klilian. Pastaj kishte vajtur në Rusi për të ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet ruso-amerikane, kishte përafruar qëndrimet e kundërta të shumë shteteve kundërshtare në botë dhe ishte kandidat për çmimin Nobël të paqes.
Ata nuk marrin vesh nga gjeopolitika globale, thoshte me vete i revoltuar duke mallkuar fatin e zi që që kishte lindur në një vend kaq të vogël ku askush nuk e kuptonte. Ai kishte një vizion të gjerë që shkonte përtej Ballkanit, por kush mund t’ua shpjegojë atyre të paditurve që hidheshin nga lartësi të mëdha drejt e në tokë për ta mbuluar asfaltin e rrugëve dhe të shesheve me tru të bardhë dhe mish njeriu?
Pas këtyre ngjarjeve të trishta edhe këngët e Qainut tek varrezat Dëshmorët e Kombit u bënë më të përvajshme. Sipas raporteve të Shërbimit të Fshehtë shqiptar, ai vazhdinte të deformonte tekstin e këngës “Kur më vjen burri nga stani” duke u përqendruar më shumë tek dyvargëshi që përsëriste me zë të lartë kohët e fundit: Kur gruaja më pret tek lisat/mendja me vete tek cicat, por nuk pati asnjë reagim nga ana e shtetit shqiptar edhe kënëgë të tilla këndoheshin mes varrezave të dëshmorëve që kishin dhënë jetën për atdheun.
Megjithatë, kryeministri qe i vetëdijshëm që nga lajmet që merrte nga Shqipëria kabineti i tij qeveritar ishte i shqetësuar, pasi zoti President kishte vdekur nga një kokër fasuleje dhe ata si shumicë nuk zgjidhnin dot një president tjetër. Për ta bërë këtë duheshin blerë nëntëdhjetë e nëntë deputet ndërkohë që shit-blerjet e deputetëve nuk kishin ecur mbarë.
Zëdhënësi i BE-së u bëri thirrje thirrje partive politike në Shqipëri të vetëpërmbaheshin dhe të mos e digjnin për një plesht, a më mirë për një kokërr fasuleje Shqipërinë. - Është vendi juaj i dashur, - tha zëdhënësi i BE-së gati i përlotur. Nga ana tjetër, BE mbështeste lëvizjen e lirë të njerëzve dhe natyrisht që nxiste lëvizjen e lirë të fasules në fytin e zotit President.
Por kësaj çështje ia vuri vulën ashtu si nuk e priste askush Kryeministri. Ai tha se meqë nuk i kishte votat për të zgjedhur një president tjetër, ai nuk e njihte vdekjen e zotit President. De jure, për hir të interesave kombëtare zoti Presidenti do të konsiderohej i gjallë, edhe për tre vjet të tjera, duke ngrënë fasule apo çdo lloj menyje që ai kishte zgjedhur pa kurrfarë paragjykimi dhe do të gëzonte mbështetjen e tij politike. Me këtë zgjidhje gjeniale të një ngërçi politik, zoti President u fut në një sarkofag në Presidencë duke u ruajtur i balsamosur për tre vjet me radhë ndërkohë që shumë prej kompetencave të tij ua shpërndanë krerëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Pas kësaj, krerët e shtetit u bënë më aktiv në mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Ministri i Jashtëm në dakordësi me atë të Turzimit propozi që me VKM të posaçme të ndryshoheshin emrat e disa fshatrave, pasi kishin emra joserioz dhe kishte raste që këto emra qesharak kishin frenuar investimet e huaja në vend. Kështu u propozua që të ndërroheshin emrat e fshatrave Vithkuq, Kurvelesh, Kuqan, Qinam, Symize, Bubullimë, Leshnjë, dhe Kakardhiq. U ra dakord që një politikë e tillë në mbështetje të turizmit që do të sillte një bum ekonomik të bëhej në nivel kombëtar dhe t’i propozohej qeverisë së Kosovës që të ndërronte emrat e fshatrave Xhylekar, Kaqibeg, Skorobisht, Neperbisht, Makresh, Qyqylagë dhe Muqibab.
Kështu, për tre vjet me radhë, krerët e shtetit shoshitën shumë politika deri në fund të mandatit presidencial, kohë kur Këshilli i Sigurisë ia bëri të gjitha nderet zotit President, duke e njohur vdekjen e tij me anë të një VKM-je të posaçme ndërsa trupin e balsamosur ia çuan tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit. I vetmi incident gjatë varrimit, ishte një këngë e kënduar nga Qaniu, rojtari vullnetar i varrezave. Raportet e shërbimit të fshehtë shqiptar thoshin se tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit kishte roje qeveritare por Qaniu këmbëngulte të ishte roje vullnetare e varrezave ndërkohë që kulloste shtatë krerë lopë, me të cilat betohej se mbante me bukë familjen e tij dhe të shtatë vëllezërve.
Rojet qeveritare e lejonin se ai ua hiqte mërzinë e ditës me këngën e tij të shthurura për gruan, këngë së cilës ai i shtonte çdo ditë dy vargje, dhe ditën e varrimit të zotit President i shtoi përvajshëm dyvargëshin: Kur më zbret gruaja nga makina/Mendja më shkon tek vagina, çka detyroi Krerët e Shtetit, të merrnin masa për një varrosje më të shpejtë nga sa ishte menduar ngaqë ata kishin hallin se mos Qaniut i fanitej sikur ndonjëra prej bashkëshorteve të tyre po zbriste nga ndonjë makinë dhe afërmendsh, nuk është kurrë e sigurt se çfarë shohin sytë e një rojtari varreze.
Comments
Post a Comment