Shumë i dashur kolegu im
i letrave!
Me hidhërim të thellë
mora vesh që NUK do të marrësh pjesë në Panairin e Librit që po organizohet në
Tiranë.
Pra, NUK do ta botosh
librin, tek “Leka Press”.
NUK do t’i japësh një
mijë e pesëqind euro nëse e ke libër me poezi, një mijë euro nëse e ke libër në
prozë, një mijë e dyqind euro nëse libri nuk ka një zhanër që përcaktohet
lehtë, duket si prozë por është poezi, ngjan si novelë por është roman.
NUK do të dëgjosh gojët
e liga të thonë se nga 100 shtëpi botuese, 50 prej tyre janë banesa të
palegalizuara botimi, bunkerë botues, kasolle botuese, strehimore
botuese për shkrimtarë azilkërkues nga politika dhe gazetaria.
Nuk do të jesh në
ceremoninë e Hapjes plot me Sude botuese dhe Rrapushxhaferra botues.
NUK do të dëgjosh të
flasë për të drejtën e autorit BunkerBotuesin që ka botuar librat e Hitlerit,
KasolleBotuesin që ka botuar kujtimet e Enverit, KafshëBotuesin e kolanës së
plotë të veprës së Derrit.
NUK do të takosh kolegun
tënd shkrimtar të shkollës nëntëvjeçare, të gjimnazit katërvjeçar, të
universitetit trevjeçar plus dy vite master, kolegun
shkrimtar pensionist që vetëm shkruan, shkruan, shkruan e pastaj boton, boton,
boton.
NUK do të
mendjendriçohesh dot se ne jemi një popull shkrimtar. Studentët blejnë
librat e pedagogëve ose librat e tyre po me parathëniet e pedagogëve.
Gazetarët do të jenë si autorë librash për historinë. Historianët si autorë
librash për politikën. Politikanët si autorë romanesh fiction.
Dhe në këtë panairnajë,
në Pallatin e Kongreseve, NUK do të ekspozohesh në sallën e madhe prej 2100
vendesh, ku shkrimtari më i shitur i të gjitha kohërave, Zgalem Budalla,
paraqet para lexuesit romanin “Kujtimet e kurvës B.”, në një sallë me ajër të
kondicionuar, ndriçimin e nevojshëm, dhe pajisjet e zërit në gjendje shumë të
mirë për të ndarë me lexuesit mendime për kujtimet e një kurve…
Ne do të dëgjojmë
heshtjen tënde ndërsa ti NUK flet për misteret e krijimit të veprës.
Nuk do të lësh autografe
me pika gjaku të derdhura paragrafëve…
Pastaj, ja përfytyroje,
ti që NUK ngjitesh në skenë si Autor dhe nuk e tërheq Çmimin e Madh për veprën
e pabotuar dhe të paekspozuar në Panair.
NUK e merr dhe i
mallëngjyer para kamerave NUK i përgjigjesh pyetjes se përse 1 milion shqiptarë
nuk lexojnë.
NUK u thua në atë
Pallat Festivalesh me 3 kate, se Abraham Maslow ka përshkruar nevojat që
motivojnë sjelljen njerëzore duke i ndarë në 5 kategori dhe se këta 1 milionë
janë tek kategoria e nevojës për ushqim, veshje, punësim, siguri jete, për një
shtëpi e cila NUK është botuese.
NUK u thua që fotografia
më e mjerë që ke parë në postkomunizëm është ajo e një plake të drobitur pranë
arkave me domate në trotuarin e një rruge në Kombinat duke lexuar “Arti
i brishtë i not giving a f**k.”
NUK i premton asgjë
lexuesit.
NUK do të jesh në
Ceremoninë e Mbylljes, ku vetë Leka i Madh i Librit i akordon vetes çmimin
“Gjergj Kastriot Skënderbeu i Panairit të Librit”.
I dashur koleg,
Për fatin Tuaj të keq ju
NUK keni marrë pjesë as në Panairin e 20, të 19-të, të 18-in, 17-in, 16-in,
15-in, 14-in, 13-in, 12-in, 11-in, 10-in, 9-in, 8-in, 7-in, 6-in, 5-in, 4-in,
3-in, 2-in, dhe as në Panairin e 1-të të librit.
Dua ta mbyll këtë letër,
i nderuar koleg, se ndarja Juaj nga jeta letrare, sidomos e këtij Panairi, më
pikëlloi shumë.
Sinqerisht,
G.Z
Botuar më 15 nëntor,
2018, nga Arlinda Guma, në:
http://defekt-teknik.com/leter-autorit-qe-nuk-merr-pjese-ne-panairin-e-librit-granit-zela/?fbclid=IwAR1jZPBTlGi4dM7rYkjNCrikTGvOdlplJIf9dIoU2tJvAzybSmoxN14AG4I
http://defekt-teknik.com/leter-autorit-qe-nuk-merr-pjese-ne-panairin-e-librit-granit-zela/?fbclid=IwAR3SYV6sWWebMvhRItcPm-kEPdQ5QwE0ByccOR1JspZS4BoRNL2DTibFqRM
ReplyDelete