Salman Rushdie_Nacionalizmi dhe shkrimtarët-Shqipëria e Kadaresë...



"Shqipëria e Kadaresë, Bosnja e Ivo Andriçit, Nigeria e     Achebe-s, Kolumbia e Garsia Markezit, Brazili i Jorge     Amados tregojnë që shkrimtarët e kanë të pamundur të mohojnë ngashënjimin e kombit, shkulmet e tij në gjakun tonë".




1.
Pak shkrimtarë i këndojnë me kaq pasion tokës së të parëve të tyre sa R. S. Thomas-i, një nacionalist uellsian, i cili me anë të poezive që sjellin në vëmendje, pohojnë, kthehen në raposdi, krijojnë mite, kërkon të shkruajë për kombin si qenie e ashpër lirike. Megjithatë, është po ky R. S. Thomas i cili shkruan:

Urrjejtjes i duhet një kohë e gjatë
Për t’u rritur, dhe kjo e imja
Ka nisur të rritet qysh kur linda;
S’ushqehet nga toka mizore
Por prore
E kam për veten k’të urrejtje, ësht’ e imja

Është befasuese të shohësh se sa hapur pranohet diçka e përafërt me urrejtjen për veten në vargjet e një bardi kombëtar. Por ndoshta vetëm kështu mund të shkruajë një shkrimtar nacionalist. Kur imagjinata merr ditë nga pasioni, atëherë ajo sheh errësirën ashtu si dhe dritën. Të ndjesh në mënyrë kaq të egër do të thotë të ndiesh njëherazi përçmim dhe krenari, urrejtje dhe dashuri. Ky përçmim krenar, kjo dashuri urrejtëse, shpesh ngjallin ndaj shkrimtarit zemëratën e kombit. Kombi kërkon himne, flamuj. Poeti të jep paqetësi. Zhele.

2.
Ekzistojnë lidhje mes zhvillimit historik të “narrativës” binjake të romanit dhe shtetit-komb. Shtjellimi i një rrëfenje në fletën e bardhë drejt synimit të fundmë ngjan me imazhin që ka për veten një komb, që përshkon historinë për të përmbushur fatin e tij të paracaktuar. Pavarësisht sa tërheqës mund të jetë një paralelizëm i tillë, unë e shoh atë me shumë rezerva. Njëmbëdhjetë vjet më parë, në kongresin e famshëm të PEN në Nju Jork, shkrimtarët e botës diskutuan “Imagjinatën e shkrimtarit dhe imagjinatën e shtetit, një temë e cila ka shkëlqimin e temës së parapëlqyer të Norman Mejlërit, një vizion që pa dyshim ai ka pasur kur shkruante.

Është e habitshme se në sa mënyra mund të interpretohet kjo “dhe” në titullin e konferencës. Për shumë nga ne, do të thotë “kundër”. Shkrimtarët afrikano-jugorë-Gordimer, Coetzee-në kohën e aparteidit u rreshtuan kundër përkufizimit zyrtar të kombit, duke e shpëtuar ndoshta kombin e vërtetë nga ata që e kishin marrë peng. Xhon Apdajk krijoi një himn lavdërues për kutitë e vogla postare të Amerikës, të cilat për të ishin emblema të përhapjes së lirë të ideve. Danilo Kiš na ka dhënë një shembull të “shakasë” që ka bërë me të shteti: një letër që ai mori në Paris, ishte nisur nga ajo që atëherë quhej Jugosllavi. Brenda zarfit të vulosur, në fletën e përparme të zarfit, ishte stampuar fjalia “Kjo letër është e pacensuruar”.

3
Kombi ose bën pjesë të tij shkrimtarët e vet më të mëdhenj (Shekspiri, Gëte, Tagore) ose kërkon t’i shkatërrojë ato (ekzili i Ovidit, ekzili i Soyinka-s). Këto fate nuk janë kaq të ndara nga njëri-tjetri. Mosnderimi i shkrimtarëve nuk është e denjë për letërsinë. Shkrimtarët e mëdhenj shkaktojnë trazim në mendje dhe në zemër. Ka nga ata që besojnë se persekutimi është diçka e mirë për shkrimtarët. Kjo nuk është e vërtetë.

4
Kini parasysh shkrimtarin që e sheh veten si zëri i një kombi. Bëhet fjalë për kombin e racës, gjinisë, orientimit seksual. Kjo është rryma e re të “të folurit në emër të….”. Kini parasysh ata që flasin në emër të ....!” Kjo rrymë e re kërkon të lartësohet, thekson pozitiven, paraqet udhëzime turbulluese morale. Tmerrohet nga kuptimi tragjik i jetës. Ta shohësh letërsinë si pashmangshmërisht politike, do të thotë që vlerat politike të zëvendësojnë vlerat letrare. Kjo e vret mendimin. Kini kujdes!



5
Po ju them që pasaporta ime është jeshile. Amerikë po vë shpatullat e mia të hajtshme në rrotën e historisë. Për të farkëtuar çelikun e shpirtit tim, ndërgjegjen e pakrijuar të racës time. Shqipëria e Kadaresë, Bosnja e Ivo Andriçit, Nigeria e Achebe-s, Kolumbia e Garsia Markezit, Brazili i Jorge Amados tregon që shkrimtarët e kanë të pamundur të mohojnë ngashënjimin e kombit, shkulmet e tij në gjakun tonë. Shkrimësia si harta e një vendi: si hartografi e imagjinatës. (Ose siç mund ta shkruaj teorika moderne kritike sot, “Imagi/Nation”. Në shkrimet më të mira sidoqoftë, harta e një vendi është harta e botës.

6
Historia është bërë e diskutueshme. Si pasojë e Perandorisë, në epokën e superfuqisë, pas “gjurmëve” të thjeshtëzimeve që na japin satelitët, zor të bie dakord për thelbin e debatit, e jo më për kuptimin e tij. Letërsia bëhet pjesë e këtij qarku. Historianët, zotët e medias, politikanët nuk e vrasin mendjen për ndërhyrjen e bezdisshme të letërsisë, por ky i paftuar është kokëfortë. Në këtë atmosferë të paqartë, mbi këtë tokë  të nëpërkëmbur, në këto ujëra të pista me baltë, letërsia ka lëndën e saj të parë.

7
Nacionalizmi po kështu mund t’i korruptojë shkrimtarët. Të tilla ishin ndërhyrjet helamtisëse të Vide Limonovit për luftën në ish-Jugosllavi. Në  kohën e nacionalizmave në kuptimin më të ngushtë të fjalës, në kohën e nacionalizmit si thirrje për luftë e fisit, shkrimtarët mund ta gjejnë veten duke shqiptuar këto klithma lufte të fiseve të tyre. Sistemet e mbyllura kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e shkrimtarëve. Kjo është arsyeja pse është shkruar kaq shumë për burgjet, forcat policore, spitalet, shkollat. A është është kombi një sistem i mbyllur? Në këtë moment të ndërkombëtarizimit të gjithçkaje që ekziston ak ka ndonjë sistem që mund të mbetet i mbyllur? Nacionalizmi është “revolta ndaj historisë”, e cila kërkon të mbyllë atë që nuk mund të mbahet më e mbyllur. Të vendos kufij tek ajo që duhet të jetë pa kufij. Letërsia e mirë shkruan për një komb pa kufij. Shkrimtarët që kanë shkruar për ekzistencën e kufijve janë shndërruar në roje kufiri.


8
Nëse shkrimësia kthehet në mënyrë të përsëritur te kombi, ajo po ashtu  në mënyrë të përsëritur largohet prej tij. Intelektuali qëllimisht i paatdhe (V.S Naipaul) e sheh botën ashtu si mund ta shoh njeri me inteligjencë të lirë, duke dëshmuar ngjarjet ashtu si ndodhin. Intelektualët e paatdhe kundër vullnetit të tyre (një kategori shkrimtarësh në të cilën bëjnë pjesë shumë shkrimtarë të shkëlqyer arab) refuzojnë mbylljen në një rreth refuzues për ta. Një paatdhesi e tillë përbën një humbje dhe mall të madh. Por edhe fitore. Kombi pa kufij nuk është fantazi.

9
Një pjesë e madhe e letërsisë së epërme nuk ka nevojë për përmasën e të qenit publik. Agonia e saj vjen nga brenda. Sfera publike s’është asgjë ashtu siç nuk ishte për Elizabeth Bishop-in. Burgu-liria-lënda e shkrimësisë është diku tjetër.


Nina nana.
Kombet zemërohen ,
Shuhen si të mos ishin kurrë.
Hija e koçekut të misrit një kafaz i madh
mbi mur.

                                                                                                        Përktheu: Granit Zela


Shkëputur nga përmbledhja e hartuar nga Toni Morrison (Nobel 1993) me titull: Burn this Book: Notes on Literature and Engagement, HaperCollins, 2009




Faleminderit që e lexove!

Comments