Këngë për martesën_Bob Dylan




Të dua më shumë se kurrë, më shumë se kohën se vetë dashurinë,
Të dua më shumë se paratë, se yjet që kanë pushtuar lartësitë,
Të dua më shumë se çmendurinë, dhe se dallgët që deti ngre
Të dua më shumë se vetë jetën, më je më e shtrenjta mbi dhé

Qëkur u shfaqe në jetën time, ti gjysma tjetër më bëre të plotë,
I thashë lamtumirë boshit në odë, të panjohurve në botë,
Kllounit të oborrit mbretëror prej dritës së diellit përzënë
Të dua më shumë se kurrë e prapë kam shumë për të thënë

Më dhe frymë dhe jetës time i dhe kaq shumë kuptim,
Më mësove të jap kur zhytur isha në mjerim,
Mu bëre ëndrra që unë kisha më ktheve prapë në jetë
Ma shove etjen dhe përvëlimin e shpirtit tim të shkretë

Më dhe pasardhës, një, dy, tre, jo vetëm kaq, shpëtove një jetë,
Sy për sy e dhëmb për dhëmb, ti dashuri si thikë e mprehtë,
Mendja tek ti më rri përngaherë, botën e flijoj për ty,
Po të gënjeja veten do vrisja do ta sodisja tek jepte shpirt


Kemi një jetë për të jetuar unë dhe ti në këtë botë
Do ta jetojmë siç dimë veç ne, siç ne të dyve zemra na thotë
Ajo që iku s’kthehet kurrë dhe për çfarë iku s’ka pendim
Ty lumturi unë të dua më shumë se gjakun në trupin tim

Kurrë s’ka qenë synimi im ta ribëj botën nga fillimi
Dhe as të ngjaj me një hero që për beteja jep kushtrimin
Se unë të dua më shumë se kaq me dashuri që kurrë nuk jepet
Dhe përtej botës jetë në pastë do të dua në të gjitha jetët

Që ne të ecim krah për krah a se kupton se ti u linde
Dhe unë jam lindur të jem me ty, ti për me qenë nusja ime
Ti gjysma tjetër e dëshiruar je çka mungon tek unë si burrë
Dhe unë të dua në pambarim me dashuri që s’mbaron kurrë

Ti zgjon vullkane tek unë çdo ditë je dritë e syve të mi,
Të jem krah teje si bashkim ngjyrash në paqe e harmoni
Dhe bashkë do jemi sot e mot tani e pëgjithmonë
Ngase të dua më shumë se kurrë në këtë muzg të jetës tonë

Comments