Ja pse zoti Faulkner merr Çmimin Nobel për Letërsinë _Gustaf Hellström_anëtar i akademisë suedeze (1950)
William Faulkner është më së
pari një shkrimtar krahinor, andaj dhe duke i qenë i tillë, hera herës i
ndërmend lexuesit suedez dy prej romancierëve tanë më të rëndësishëm, Selma
Lagerlöf-in and Hjalmar Bergman-in. Värmland-i i Folknerit është pjesa veriore
e shtetit të Misisipit dhe Vadköping-i i tij quhet Xheferson. Paralelizmi mes
tij dhe dy bashkëkombasve tanë mund të shtjellohet dhe të thellohet më tej, por
koha tash nuk na lejon shmangie të atilla.
Ndryshimi, më i madhi ndryshim, mes tyre ka të bëjë me faktin se skena
folkneriane është shumë më e terrtë dhe e përgjakshme se ajo në të cilën
jetonin kavalierët e Lagerlöf-it dhe personazhet e jashtmendshme të Bergmanit.
Folkneri është shkrimtari i madh
epik i shteteve jugore me të gjithë traditën e tyre: një e kaluar e lavdishme e
krijuar prej punës së skllevërve zezakë, luftës civile dhe disfatës që rrënoi
bazat e nevojshme ekonomike për strukturën e atëhershme sociale; një zemërim i
dhimbshëm dhe i mbartur gjatë; dhe, më së mbrami, një e ardhme industriale dhe
tregtare mekanizimi dhe standartizimi i jetës së të cilës janë të çuditshme dhe
armiqësore për banorin e Jugut i cili duke
pasur vullnet ka mundur të përshtatet me këtë pak e nga pak.
Romanet e Folknerit janë një
përshkrim i vazhdueshëm dhe shumëndriçues i këtij procesi të dhimbshëm, të
cilin ai e njeh katërcipërisht dhe e ndjen së thelli, duke qenë se vjen prej
një familje e cila qe e detyruar të kapërdij frutat hidhërake të disfatës me
bërthamën e tyre të kalbur: varfërimin, rënien, zvetënimin në format e tij të
shumëllojshme.
E kanë quajtur reaksionar. Por
edhe nëse ky term deri diku është i përligjur, ai ekulilibrohet prej ndjenjës
së fajit e cila bëhet gjithnjë e më e qartë në punishten e errët ku punon pa u
lodhur asnjëherë. Çmimi i paguar për një mjedis fisnik, kalorësiak, kurajon,
dhe shumë shpesh ekstremizmin e pafund ishte shnjerëzimi. Thënë shkurt, dilema
e Folknerit mund të shprehet kësisoj: ai ndjen keqardhje dhe, si shkrimtar
hiperbolizon një mënyrë të jetuari të cilën ai vetë, me sensin e tij të
drejtësisë dhe humanizmit, kurrë nuk do të mundej ta pranonte. Kjo është ajo
çka e bën lokalizmin e tij universal. Katër vjet lufte të përgjakshme sollën
ndryshime në strukturën sociale, për të cilat europianëve, përveç rusëve, iu desh
një shekull e gjysmë.
Pikërisht përkundër një tradite
lufte dhe dhune shkrimtari pesëdhjetë e dy vjeçar vendos romanet më të
rëndësishme. Gjyshi i tij kishte post të rëndësishëm gjatë Luftës Civile. Ai
vetë u rrit në një mjedis të ngjizur prej bëmave të luftës bashkë me hidhërimin
dhe varfërinë që vinte prej disfatës që nuk u pranua asnjëhërë. Kur qe njëzetë
vjeç hyri në Forcat Ajrore Mbretërore, u përplas dy herë, dhe u kthye në shtëpi
jo si hero ushtarak por si një i ri i dëmtuar fizikisht dhe psikologjikisht me
një të ardhme të dyshimtë, duke u përballur për disa vite me një jetë në zgrip.
U bashkua me luftën ngase, sikurse e shpreh “alter egoja” e tij në një nga
romanet, “njeriu nuk duhet ta humbas mundësin e të qenit në një luftë”. Por pas
kohës së rinisë kur njeriu është i etur për ndjesinë dhe betejën ngadalë u
formua një burrë neveria e të cilit për dhunën shprehet gjithnjë e më me pasion
dhe mund të përmblidhet shumë mirë prej porosisë së pestë: “ Nuk duhet me vra”.
Në anën tjetër, janë gjëra të
cilat njeriu gjithmonë duhet ti tregojë vetes se nuk mund të durohen: “Disa
gjëra”, thotë një prej personazheve të tij të romaneve të fundit, “njeriu duhet
gjithmonë të mos duroj padrejtësinë dhe zemërimin, çnderimin dhe turpin. Jo për
lavde dhe para - porse duhet të mos pranojë t’i duroj ato.” Dikush mund të pyes
se si këto dy maksima mund të pajtohen ose se si Folkneri vetë e sheh pajtimin
mes tyre në një kohë të mungesës ndërkombëtare të ligjit. Është një pyetje së
cilës nuk i jep përgjigje.
Fakti është se, si shkrimtar,
Folkneri nuk është edhe aq i interesuar në zgjidhjen e problemeve se sa është i
tunduar nga përhumbja pas komenteve sociologjike në lidhje me ndryshimet e
befasishme të pozicionit ekonomik të shteteve jugore. Disfata dhe pasojat e
disfatës janë thjesht trualli prej kah merr jetë epika e tij. Ai nuk magjepset nga
njeriut si bashkësi por nga njeriu në bashkësi, prej individit si një unitet i
fundmë në vetvete, çuditërisht i pandikuar prej rrethanave të jashtme.
Tragjeditë e këtij individi nuk kanë asgjë të përbashkët me tragjedinë: ata
udhëhiqen drejt fundit prej pasionesh të shkaktuara nga trashëgimia, traditat,
dhe mjedisi, pasione që shprehen ose me anë të një shpërthimi të beftë ose
nëpërmjet një çlirimi të ngadaltë prej mbase kufizimeve të hershme të brezave.
Pothuajse me çdo vepër të re Folkneri depërton më thellë në psikën
njerëzore, në madhështinë e njeriut dhe forcës së vetëflijimit, lakmisë për
pushtet, grykësisë, varfërisë shpirtërore, mendjengushtësisë, pandjeshmërisë
burleske, zemërimit, terrorit, dhe mbrapshtanive zvetënuese.
Si një psikolog depërtues ai
është mjeshtër i pakrahasueshëm ndërmjet të gjithë romancierëve Britanikë dhe
Amerikanë të gjallë. Asnjëri prej kolegëve të vet nuk zotëron forcën e tij
fantastike imagjinative dhe aftësinë e tij për të krijuar personazhe.
Personazhet e tij nënjerëzor dhe mbinjerëzor, komikë ose tragjikë në një mënyrë
makabër, lindin preëj mendjes së tij me një vërtetshmëri realiteti që pak
njerëz të njëmendtë ta japin- as edhe ata më të afërtit për personazhe që na japin këtë, dhe gjallojnë në
një mjedis ku kundërmimi i bimëve subtropikale, parfumet e grave, djersa e zezakëve,
bashkë me erën e kuajve dhe mushkave depërtojnë shpejt e shpejt madje edhe në
një verandë të ngrohtë dhe të rehatshme skandinave.
Si një piktor peisazhesh ai
zotëron nuhatjen e brendshme të gjahtarit që e njeh truallin ku gjuan,
saktësinë e topografit, ndjeshmërinë e impresionistëve. Për më tepër - krah për krah me Xhojsin (Joyce) dhe ndofta më shumë se
ai, Folkneri është eksperimentuesi i më i madh ndër romancierët e shekullit të
njëzetë. Rrallë ndodh që dy romane të tij të jenë të ngjashme nga struktura.
Duket sikur nëpërmjet
ripërtëritjes së tij të paprajshme donte të arrinte frymëmarrjen e hapësirshme
të cilën bota e tij e kufizuar në gjeografi dhe tema, nuk mund të ja jepte. E
njëjta dëshirë për të eksperimentuar shquhet në zotërimin, e pakrahasueshëm
ndër romancierët Britanikë dhe Amerikanë, të pasurisë së gjuhës angleze, pasuri
që rrjedh prej elementëve të saj të ndryshëm dhe ndyshimeve të kohëpaskohshme
në stil- ç’prej shpirtit Elizabetian gjer te fjalori i kufizuar porse shprehës
i zezakëve të shteteve jugore.
Askush deri sot që prej
Mereditit (Meredith) – mbase veçan Xhojsit – arriti me sukses të strukturonte
fjali aq të pafundme dhe shmë shprehëse. Në të njëjtën kohë, pak prej
shkrimtarëve të kohës së rij mund ta rivalizojnë në mundësinë e dhënies e një
zinxhiri ngjarjesh në një seri fjalish të shkurtra, ndërkohë që secila prej
tyre është posi një goditje çekiçi që e shpie gozhdën gjer në fund të dërrasës
duke e mbërthyer fort që të mos mund të lëviz më.
Zotërimi i përsosur i tij i burimeve të gjuhës
mund - dhe shpesh ndodh- që e çon në një grumbull fjalësh dhe shoqërizimesh
që vënë në provë durimin e lexuesit me një histori emocionuese ose të
ndërlikuar. Por kjo mbushulli nuk ka të bëjë me lajlelulet letrare. Poashtu nuk
ka të bëj me faktin se do të nxjerr në pah zhdërvjelltësinë e pafund të
imagjinatës së tij; në gjithë pasurinë e tyre, çdo cilësi e re, çdo shoqërizim
i ri është përdorur me qëllimim për të t’u thelluar në realitetin që forca e
tij imagjiantive krijon.
Shpesh Folkneri është përshkruar
si determinist. Ai vetë sidoqoftë, nuk ka deklaruar ndonjëherë të mbroj ndonjë filozofi të caktuar jete. Me
pak fjalë pikëpamja e tij për jetën mund të përmblidhet në fjalët e thëna prej
atij vetë: se gjithçka (ndofta?) s’ka kurrfarë kuptimi. Nëse nuk do të ishte
këtu, Ai ose Ata që krijuan gjithçka do t’i kishin bërë gjërat tjetërndryshe. Po sidoqotë duhet të ketë ndofarë kuptimi, ngase njeriu
vazhdon të luftoj, dhe duhet të luftoj deri sa, një ditë, merr fund gjithçka.
Por Folkneri ka një bindje, ose
thënë më mirë ka shpresë: se çtë gjithë shpejt a vonë marrin dënimin që
meritojnë dhe se vetëflijimi jo vetëm që të jep lumturi por i shtohet numrit të
pafund të veprave të mira të njerëzimit.
Kjo është një shpresë, pjesa e dytë e së cilës na ndërmend bindjen e
patundur të shprehur prej poetit Suedez Viktor Rydberg gjatë recitimit të
kantatës së paraqitur në Jubilenë e Dhënies së Titujve në Apsala (Uppsala ) në 1877-të.
Zoti Folkner – emri i shtetit
jugor ku je lindur dhe rritur është bërë i njohur tash sa kohë për ne suedezët,
falë dy miqëve tuaj më të ngushtë dhe të dashur Tom Sojerit he
Hakëlberfinit. Mark
Tueini e vendosi lumin e Misisipit në hartën letrare. Pesëdhjetë
vjetë më vonë ju filluat një seri romanesh të cilët u mbështetën në shtetin e
Misisipit duke krijuar një nga vendet historike të letërsisë botërore të
shekullit të njëzetë; romane të cilat me format e tyre të shumëllojshme, me
depërtimin më të thellë psikologjik brenda botës së brendshme të njeriut, me
personazhe madhështorë- si të mirë edhe të këqij- zënë një vend të pashoq në
letërsinë moderne amerikane dhe britanike.
Zoti Folkner është privilegj për mua të kem nderin të ju ftoj të pranoni prej duarve të Madhërisë së Tij Mbretit Çmimin Nobel për Letërsinë që ju është akorduar prej Akademisë Suedeze.
Ligjërata e paraqitjes prej Gustaf Hellström-it, anëtar i akademisë suedeze,
më 10 dhjetor 1950-të me motivacionin “Për ndihmesën e tij të gjithëmbarshme dhe të pashoqe artistike në romanin
Amerikan”.
Comments
Post a Comment