unë me melhem ju me helm
torturo tremb e trand
në udhëkryq pa atdhe dhe na ftoni në mëkat
hem digjni hem vrisni villni vrer delirant
tartufë gjithkund molierë askund atdhehumbur shkretan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
betoheni e përbetoheni me bujë e brohori
e kujt është kjo kujë kjo kishë këto kuaj
sikur të ishin buaj po m’i vrasin bijtë
ditën e natën të kallni datën gllabëro e përbalt
në vendin tënd s’të zë vendi se ndjehesh azilant
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
makutër tuafër matufër e ziliqarë
bliheni e shiteni lakmitarë bukëshkalë
fytyrëmbuluar me turp idhnakë egërshanë
shkatërroni e rroni si djaj e xhelatë
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
ju mujsharë të mllefosur plot marrëzi e maraz
mbarë e mbrapsht flisni përçart si të dehur
gjëmë pa bërë përmbi dhé këtij
atdheu nuk i latë
shkel e shtyp kurthe thur
rrobashqyer leshrashkrehur
këtë llum e zullum nuk ka lum që e lan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
Comments
Post a Comment